Kuvendi i Kosovës miraton në parim ndryshimet për Dhomat e Specializuara, PDK hap rrugën për marrëveshje me Vetëvendosjen

Kuvendi i Kosovës ka dhënë dritën jeshile në parim për Projektligjin që synon ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës. Nisma e iniciuar nga PDK-ja mori mbështetjen e të gjithë deputetëve që morën pjesë në votim.

Në votim morën pjesë 91 deputetë dhe projektligji u miratua me 91 vota pro, pa asnjë votë kundër apo abstenim. Në proces nuk mori pjesë Grupi Parlamentar i LDK-së.

Nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila ka iniciuar ndryshimet ligjore, kanë deklaruar se synojnë që projektligji të kalojë edhe në leximin e dytë gjatë ditës së hënë.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e lidhi këtë zhvillim edhe me situatën politike në vend. Ai deklaroi se, pas miratimit të ndryshimeve, PDK-ja është e gatshme të diskutojë me Lëvizjen Vetëvendosje për zgjedhjen e presidentit, me synimin për të shmangur mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë debatit në Kuvend mbrojti qëndrimin se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë.

Sipas Kurtit, UÇK-ja nuk përfaqësonte vetëm reagimin ndaj heqjes së autonomisë së Kosovës, por edhe një përgjigje ndaj asaj që ai e cilësoi si gjenocid të kryer nga Serbia në Kosovë.

Sa i përket ndryshimeve të propozuara për Dhomat e Specializuara, Kurti tha se koha në dispozicion për shqyrtimin e tyre ka qenë e kufizuar. Për këtë arsye, ai i cilësoi veprimet e ndërmarra si të nxituara.

Duke iu referuar vitit 2015, Kurti tha se edhe atëherë, sipas tij, ishin ndërmarrë veprime të ngjashme pa një proces të mjaftueshëm shqyrtimi.

Ai shtoi se pakënaqësia e qytetarëve ndaj Dhomave të Specializuara ka qenë e pranishme që në atë kohë dhe e konsideroi atë të justifikuar.

Kurti ia atribuoi përgjegjësinë për themelimin e Dhomave të Specializuara deputetëve që votuan për krijimin e tyre në vitin 2015, ndërsa për nismën aktuale deklaroi se Lëvizja Vetëvendosje do ta mbështesë.