Audiopërgjimet e Ahmetajt për trafik armësh/ SPAK sekuestron dokumente tenderësh te Ministria e Mbrojtjes, kontrolle edhe në banesën e Ardi Veliut

Detaje të reja janë mësuar në lidhje me aksionin e SPAK, ku më herët u ushtruan kontrolle në banesën e biznesmenit izraelito-amerikan Ron Yeffet në fshatin Pëllumbas.

Burime për mediat bëjnë më dije se kontrolle janë kryer edhe në disa ambiente të tjera, si edhe në Ministrinë e Mbrojtjes, ku siç sqarojnë burimet janë sekuestruar një sërë dokumentesh lidhur me praktikën e tenderëve. 

Po ashtu veprimet e SPAK janë shtrirë edhe në banesat e Ardi Veliut dhe Arjeta Pucës.

Ardi Veliu është administrator i KAYO-s, kompanisë shtetërore që operon në industrinë e mbrojtjes, ndërsa Arjeta Puca është pronare e kompanisë TIMAK, një prej subjekteve private që ka hyrë në partneritet me KAYO-n përmes TIMAK Defence.

Raportohet se Ardi Veliut i është sekuestruar telefoni.

Emri i Ron Yeffet është përmendur nga Arben Ahmetaj në audiopërgjimet e publikuara prej tij, ku ish-zëvendëskryeministri ka ngritur pretendime për një skemë të mundshme të trafikimit të armëve dhe ka lidhur këtë çështje me KAYO-n dhe kompani të sektorit të mbrojtjes.

Këto janë pretendime të bëra publike nga Ahmetaj dhe tashmë janë objekt verifikimi nga autoritetet.