Denis Matoshi (Eldi Dizdari) është ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt Belgjikës, ku ndodhet tashmë në një burg belg.
Ekstradimi është konfirmuar nga ministrja belge e Drejtësisë, Annelies Verlinden, e cila bëri të ditur se operacioni u realizua në bashkëpunim me autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe.
Matoshi, 37 vjeç, konsiderohet nga autoritetet belge si një prej drejtuesve të organizatës kriminale shqiptare “Kompania Bello”. Ai është dënuar këtë vit me 10 vite burgim dhe një gjobë prej 80 mijë eurosh në kuadër të dosjes së trafikut të drogës “Yaramis”.
Gjykata belge ka urdhëruar gjithashtu konfiskimin e të ardhurave me origjinë kriminale, në vlerën 7.5 milionë euro, të cilat i janë atribuar Matoshit.
Sipas dosjes së hetimit, Matoshi kishte jetuar prej vitesh në Dubai, ndërsa rreth dy vite më parë u arrestua në Emiratet e Bashkuara Arabe pas një kërkese të autoriteteve belge. Prokuroria e Antwerp kishte kërkuar ekstradimin e tij në mënyrë që ai të përballej me procedurat gjyqësore në Belgjikë.
Autoritetet belge dyshojnë se, pas humbjes së ndikimit në portin e Antwerp nga grupi Yaramis, Matoshi bashkëpunoi me Omar Govers dhe Najim EM për organizimin e tërheqjes së ngarkesave të kokainës nga porti.
Në kuadër të një tjetër hetimi ku është përfshirë Govers, komunikimet e zbërthyera nga rrjeti Sky ECC thuhet se kanë zbuluar edhe dy transferta parash në favor të Matoshit gjatë viteve 2020 dhe 2021. Sipas prokurorisë, shuma totale e këtyre transfertave arrinte në rreth 1.75 milionë euro.
Pjesa e procedimit që lidhet me Matoshin është ndarë nga çështja kryesore dhe pritet të shqyrtohet në një fazë të mëvonshme.
Matoshi u largua të mërkurën nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe, disa orë më vonë, mbërriti në aeroportin ushtarak të Melsbroek në Belgjikë. Pas mbërritjes, ai u transferua menjëherë në një burg belg.
Ministrja Verlinden njoftoi ekstradimin përmes rrjeteve sociale, duke vlerësuar bashkëpunimin me autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe duke deklaruar se operacioni tregon se “nuk ka strehë të sigurta për kriminelët e drogës”.