Europa përgatit përgjigje të koordinuar ndaj presionit të SHBA për rezervat e naftës

Pesë vende europiane dhe Komisioni Europian kanë rënë dakord për një përgjigje të koordinuar ndaj presionit të administratës amerikane për lirimin e rezervave të karburanteve, përfshirë naftën dizel.

Franca, Gjermania, Britania, Italia dhe Irlanda, së bashku me Komisionin Europian, zhvilluan një takim urgjent të enjten për të diskutuar kërkesën e Uashingtonit, i cili ka kërkuar që vendet europiane të nxjerrin në treg një pjesë të rezervave të tyre ose të përballen me mundësinë e kufizimit të eksporteve amerikane të dizelit drejt Europës.

Në takim, palët ranë dakord që çështja të trajtohet me një qëndrim të përbashkët dhe që çdo vendim për lirimin e rezervave të kalojë në nivelin e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA). Gjithashtu, vendet europiane synojnë të ulin tensionet në komunikimin me Uashingtonin.

Një burim i përfshirë në diskutime e përshkroi qasjen si një përpjekje për “de-përshkallëzim”, duke kërkuar një qëndrim të vendosur, por pozitiv, në raport me SHBA-në.

Diskutimet pritet të zgjerohen të premten, kur edhe vende të tjera që kanë marrë kërkesa të ngjashme nga administrata Trump do të shqyrtojnë një përgjigje të përbashkët.

Më herët, POLITICO raportoi se sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, kishte kërkuar lirimin e rezervave të naftës si alternativë ndaj një ndalimi të mundshëm të eksporteve amerikane të dizelit. Sipas kërkesës së raportuar, bëhet fjalë për rreth 120 milionë fuçi dizel gjatë gjashtë muajve, sasi që do të përbënte më shumë se një të tretën e rezervave totale europiane të këtij karburanti.

Kërkesa vjen në një kohë kur çmimet e dizelit në SHBA janë rritur ndjeshëm, ndërsa administrata amerikane po përballet me presion për të ulur kostot e karburanteve.

SHBA-ja është një furnizues i rëndësishëm i tregut europian të dizelit dhe aktualisht mbulon më shumë se gjysmën e importeve të BE-së. Një ndalim i eksporteve amerikane do të mund të krijonte pasoja të ndjeshme për tregun europian të karburanteve dhe ekonominë e vendeve anëtare.

Presidenti amerikan Donald Trump nuk e ka përjashtuar mundësinë e një ndalimi të eksporteve. I pyetur për këtë opsion, ai tha se po e shqyrton, ndërsa pranoi se masa mund të ndikojë jo vetëm te çmimi i dizelit, por edhe te çmimet e produkteve të tjera.