Qytetarët kërkojnë arrestimin e Ballukut, protestë para SPAK-ut: Drejtësi!

Një grup qytetarësh kanë protestuar këtë të mërkurë para SPAK-ut, pas disa slandaleve dhe aferave që kanë përfshirë vendin, më e fundit ajo me drejtuesen e SHISH, Vlora Hyseni, e cila dyshohet se i ka dhënë informacione sekrete shtetësore, Ergys Agasit, teksa ky i fundit ishte në kërkim nga Prokuroria e Posaçme.

“Arresto Ballukun”, ishte një nga parullat që protestuesit mbanin në duar. Në një pankartë tjetër shkruhej: “Shqiptarët nuk duan shpjegime, duan përgjegjësi”.

Kujtojmë se Balluku është nën hetim për 4 vepra penale.

Belinda Balluku është e pandehur për çështjen e tenderit të tunelit të Llogarasë dhe Unazën e Madhe në Tiranë, projekte që kapin vlera prej qindra miliona eurosh.

Ndaj saj janë në fuqi dy masa sigurie: ndalim i daljes jashtë vendit dhe pezullim nga ushtrimi i funksioneve publike.

Në kushtet kur hetimet kanë hyrë në një fazë të re dhe më intensive, nuk dihet nëse SPAK do të rikthehet me një kërkesë të re për arrestimin e ish-numrit dy të qeverisë.