Eric Wendt nis detyrën si ambasadori i ri i SHBA-së në Shqipëri

Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, ka nisur zyrtarisht detyrën e tij në Tiranë.

Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada Amerikane, e cila ka publikuar pamje nga ceremonia e ngritjes së flamurit amerikan në rezidencën zyrtare të ambasadorit.

Në mesazhin e saj, ambasada e ka cilësuar këtë moment si fillimin e një kapitulli të ri në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.

“Një kapitull i ri fillon në Shqipëri!”, thuhet në postimin e ambasadës, e cila thekson rëndësinë e bashkëpunimit dhe të angazhimit të përbashkët mes dy vendeve.

Sipas mesazhit të publikuar, administrata amerikane nën Presidentin Donald Trump e sheh forcimin e aleancave përmes ndarjes së përgjegjësive dhe bashkëpunimit si një element të rëndësishëm për një të ardhme më të sigurt dhe më të begatë për të dyja vendet.

“Një kapitull i ri fillon në Shqipëri! Roja e Sigurisë së Marinës ngriti flamurin amerikan mbi rezidencën zyrtare, ndërsa Ambasadori Wendt merr detyrën e tij. Nën Presidentin Trump, aleancat tona janë më të forta kur qëndrojmë së bashku, ndajmë përgjegjësinë dhe ndërtojmë një të ardhme më të begatë dhe më të sigurt për të dy kombet tona”, shkruan Ambasada e SHBA-së në Tiranë.