Teksa kryeministri Edi Rama foli për arritjet e Shqipërisë në Konferencën Ndërparlamentare që u mbajt në Tiranë, nga Brukseli vëmendja u zhvendos te disa prej pikave më të rëndësishme të procesit të anëtarësimit të vendit tonë në Bashkimin Europian.
Kryetari i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian, David McAllister, vlerësoi përparimin e Shqipërisë në procesin e negociatave, por dha një mesazh të qartë për detyrat që duhet të përmbushen nga Shqipëria.
Ai foli për pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe luftën ndaj korrupsionit, në mënyrë që institucionet t’i shërbejnë më mirë qytetarëve.
“Detyra tani është që të fuqizohet pavarësia gjyqësore, të kemi më shumë rezultate ndaj korrupsionit dhe të sigurohemi që institucionet publike t’i shërbejnë mirë qytetarëve”, deklaroi ai ndër të tjera.
Një tjetër mesazh i fortë erdhi nga ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, e cila e lidhi cilësinë e demokracisë jo vetëm me mënyrën se si zhvillohen zgjedhjet, por edhe me rolin që luan Kuvendi.
Sipas saj, një demokraci vlerësohet edhe përmes pavarësisë dhe llogaridhënies së institucioneve, transparencës, mënyrës së vendimmarrjes dhe hapësirës për debat politik. Ambasadorja theksoi se Kuvendi duhet të jetë hapësira ku zëri i qytetarëve përfaqësohet dhe ku vendimet politike mund të debatohen edhe kur ka qëndrime të ndryshme.
“Çdo lloj vlerësimi për gjendjen në të cilën ndodhet një demokraci nuk matet vetëm me mënyrën se si organizohen zgjedhjet. Kryeministri e përmendi lirinë e fjalës dhe lirinë e qasjes, të cilat janë thelbësore, POR në fakt vlerësimi bëhet edhe në bazë të mënyrës se si e luan rolin e vet Kuvendi, sa e pavarur është, sa llogaridhënëse janë institucionet, sa transparencë ka, si merret vendimmarrja dhe sa hapësirë ekziston për debat politik.
Kuvendi është zëri i qytetarëve. Ai ofron hapësirën në të cilën mund të shprehen dhe të debatohen vendimet politike, edhe kur ato janë të ndryshme. Kjo është tejet e rëndësishme, veçanërisht në këtë moment kur Shqipëria do të ecë përpara me reformat, përmes një kalendari shumë ambicioz. Ky kalendar ambicioz nuk mund të vijë në dëm të cilësisë së mbikëqyrjes parlamentare, të transparencës dhe të mbikëqyrjes së vërtetë.
Prandaj është kaq e rëndësishme një qasje në të cilën të përfshihet e gjithë shoqëria dhe të dëgjohet zëri i qytetarëve. Procesi i anëtarësimit merr kuptim vetëm atëherë kur qytetarët arrijnë të shohin se çfarë do të thotë Bashkimi Evropian për jetën e tyre”, u shpreh ajo në fjalën e saj.