Ambasadori i ri amerikan mbërrin në Tiranë, Eric Wendt merr nesër zyrtarisht detyrën

Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara, Eric Wendt, ka mbërritur këtë të premte në Tiranë për të nisur misionin diplomatik si përfaqësues i administratës së Presidentit Donald Trump në Shqipëri.

Wendt pritet të paraqesë të shtunën letrat kredenciale te Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, duke marrë zyrtarisht detyrën.

Ndërkohë, të hënën, pritet që ai të zhvillojë takimin e tij të parë me ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha.

I përzgjedhuri I Donald Trump për Shqipërinë, gjatë dëgjesës në Senat ka prezantuar 4 prioritete të misionit diplomatik në Tiranë.

1-Mbrojtja e qytetarëve amerikanë dhe avancimi i interesave amerikane, përfshirë mbështetjen e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ndërkombëtare.

2-Mbështetja e progresit të Shqipërisë për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 5% të PBB-së deri në vitin 2035.

3-Promovimi i diplomacisë ekonomike dhe tregtare në dobi të qytetarëve.

4-Fokusi te njerëzit e ambasadës, duke përfshirë një linjë pune që e quajti “Faktorët njerëzorë”, e cila do të synojë përdorimin e mënyrave standarde dhe kreativitet.

Gjeneral me tre yje në pension, Eric Wendt ka mbi 34 vite shërbim në ushtrinë amerikane, pjesën më të madhe në Forcat Speciale. Ai ka drejtuar gjithashtu Komandën e Operacioneve Speciale të NATO-s.