Gjykata liron nga burgu Elizabeta Matajn, ish-drejtoreshën e Postës që vodhi 700 mijë euro

Vetëm dy muaj pas arrestimit, ish-drejtoresha e Postës së Durrësit, Elizabeta Mataj, është liruar nga qelia. Gjykata e Durrësit ka pranuar kërkesën e saj për zbutjen e masës së sigurisë, duke e zëvendësuar “arrestin në burg” me “arrest në shtëpi”.

Vendimi është marrë gjatë seancës së zhvilluar paraditen e sotme, e cila është zhvilluar pa praninë e mediave. Gjyqtari Xhevdet Lika ka argumentuar se rrethanat e çështjes kanë ndryshuar, duke vendosur që Mataj të vijojë të qëndrojë nën masën “arrest në shtëpi”.

Megjithatë, ende nuk janë bërë të ditura konkretisht rrethanat e reja që kanë bindur gjykatën për ndryshimin e masës së sigurisë.

Mataj u arrestua më 18 korrik, pasi dyshohet se, së bashku me ish-shefen e financës Valbona Duni dhe arkëtaren Paola Dana, ka përvetësuar rreth 700 mijë euro të destinuara për pagesën e pensioneve në zonat e Krujës dhe Shijakut. Duni dhe Dana ndodhen gjithashtu në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Rasti mori vëmendje të madhe pas publikimit të pamjeve filmike ku Mataj shfaqej duke nxjerrë nga ambientet e zyrës shuma parash të vendosura në qese të zeza. Sipas hetimeve, fondet figuronin në dokumentacion si para të destinuara për pensionistët.

Prokuroria po vijon hetimet për mënyrën se si janë përdorur paratë dhe nuk përjashton edhe pistën se një pjesë e shumës mund të jetë shpenzuar në kazino.

Ndërkohë, pak ditë para lirimit të Matajt nga qelia, bashkëshorti i saj, Fetah Mataj, është emëruar në një post drejtues në Bashkinë e Durrësit, si përgjegjës për Evadimin e Mbetjeve Urbane.