Një deklaratë e ministrit të Jashtëm italian, Antonio Tajani, ka shkaktuar polemika të forta në Itali, pasi ai u shpreh gjatë një debati publik se është më mirë të martohesh me një grua që “mban një fund më të gjatë, është më pak e ekspozuar dhe nuk të tradhton”.
Videoja e deklaratës së liderit të Forza Italia u shpërnda me shpejtësi në rrjetet sociale dhe u bë virale, duke nxitur reagime të shumta.
Përballë kritikave, Tajani u detyrua të kërkonte falje. Në atë moment ai ndodhej në Uashington, në kuadër të një vizite zyrtare.
“Kërkoj falje nëse dikush është ndier i ofenduar nga ajo që thashë. Por unë nuk kam menduar kurrë të ofendoj gratë dhe nuk e kam bërë kurrë këtë, as në jetën private dhe as në atë publike”, deklaroi Tajani.
Megjithatë, deklarata nuk u mbyll me kërkimfaljen e ministrit.
Njëmbëdhjetë senatore nga partitë e opozitës italiane, PD, Italia Viva dhe AVS, vendosën të protestojnë në Palazzo Madama, selia e Senatit italian, duke u shfaqur me minifunde.
Nisma u propozua nga Raffaella Paita e Italia Viva-s dhe u mbështet nga senatore të tjera, mes tyre Susanna Camusso, Silvia Fregolent, Cecilia D’Elia, Daniela Sbrollini, Ilaria Cucchi, Valeria Valente, Dafne Musolino, Simona Malpezzi, Cristina Tajani dhe Julia Unterberger.
Me këtë veprim, senatoret synuan të kundërshtonin publikisht deklaratën e ministrit dhe të tërhiqnin vëmendjen te komentet që lidhin veshjen e një gruaje me besnikërinë e saj në martesë.
Rasti ka rikthyer në Itali debatin mbi mënyrën se si politikanët flasin publikisht për gratë dhe stereotipet gjinore.