GJKKO rrëzon SPAK, urdhëron nisjen e hetimeve për resortin e Bashkim Ulajt në Rrjoll

Gjykata e Posaçme ka urdhëruar SPAK nisjen e hetimeve për resortin e biznesmenit Bashkim Ulaj në Rrjoll.

GJKKO ka rrëzuar Prokurorinë e Posaçme, që kishte vendosur të mos niste hetim pas kallëzimit të banorëve të Rrjollit, që preken nga ky resort për veprat penale: falsifikim dokumentash dhe korrupsion.

Ndërkohë mësohet se gjyqtarja e GJKKO, Flojera Davidhi ka pranuar ankimin e tyre duke urdhëruar SPAK të regjistrojë procedimin penal dhe të kryente hetime mbi pretendimet e banorëve.

Këta të fundit, kanë protestuar prej muajsh në zonën ku do të ndërtohet resorti duke deklaruar se ky biznesmeni Ulaj po ndërton në tokë të vjedhur dhe në kundërshtim me ligjin.  

Për këto vepra penale, janë akuzuar nga banorët Fatmir Shpellza për falsifikim fokumentash dhe “Gener 2”, për ndërtim të paligjshëm.

Konflikti mes banorëve dhe resortit nisi të përshkallëzohej në momentin kur në zonën e Baks – Rrjollit hynë makineritë për përgatitjen e kantierit të resortit. 

Kujtojmë se banorët e Rrjollit kanë protestuar prej muajsh, protestë të cilën e kanë zhvendosur edhe para Kuvendit dhe SPAK, teksa janë shprehur se janë të braktisur nga shteti.

Protestat shpesh herë janë shoqëruar me edhe me tensione dhe përplasje me policinë, dhe me rojet private të “Breçani Security” të punësuar nga biznesmeni Bashkim Ulaj më qëllim për të ruajtur kantierin. Gjatë protestave, disa prej banorëve janë shoqëruar nga policia në komisariat, ndërsa kërkonin ndalimin e punimeve në zonë

Vendimi i gjykatës konsiderohet një fitore për banorët e Rrjolit, të cilët kanë kundërtuar prej muajsh ndërtimin e resortit të Ulajt në tokat e tyre.