Aksion i SPAK në Tiranë/ Arrest shtëpie për drejtuesen e SHISH, kontrolle në banesën e ish-kryepolicit Ilir Proda

Një aksion i i Prokurorisë së Posaçme ka zgjeruar ndjeshëm hetimet që lidhen me dosjen e AKSHI-t dhe personat e dyshuar për përfshirje në skemën e tenderave.

GJKKo ka vendosur masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për Vlora Hysenin, drejtoreshën e Shërbimit Informativ të Shtetit, teksa ndaj saj është vendosur edhe masa e pezullimit nga detyra. Ajo akuzohet për akuzohet për përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje të sekretit hetimor.

Në të njëjtën kohë, SPAK dhe agjentë të BKH-së kanë nisur kontrolle në disa banesa, mes tyre edhe në banesën e Ilir Prodës, ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Ndërkohë, në pranga kanë rënë Fatjon Kalluci, shef tek laboratori shkencor i policisë si dhe Embro Sulejmanin, administratori i agroturizmit “Kodra e kuajve” në qytetin e Durrësit.

Në kuadër të operacionit po verifikohen edhe banesa të zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të tjerë të Policisë së Shtetit, ndërsa hetuesit po administrojnë materiale dhe prova që mund të ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të çështjes.

Në qendër të hetimit dyshohet se është edhe mënyra se si institucionet e sigurisë kanë vepruar apo kanë pasur informacion lidhur me personat e kërkuar nga drejtësia.

Një nga pikat që po verifikohet lidhet me arrestimin e biznesmenit Ergys Agasi, një prej emrave kryesorë të dosjes së AKSHI-t. Agasi u arrestua më 26 gusht, pas rreth tetë muajsh në kërkim, dhe më pas GJKKO la në fuqi masën “arrest me burg”.

Një nga pistat që po verifikohet është nëse Shërbimi Informativ i Shtetit kishte informacion paraprak mbi lëvizjet dhe vendndodhjen e Agasit, por nuk kishte të dhëna konkrete për operacionin që çoi në arrestimin e tij.

Në dosjen e AKSHI-t, SPAK dyshon për një skemë të lidhur me procedurat e prokurimeve publike dhe ka ngritur akuza për disa vepra penale ndaj personave të hetuar. 

Hetimet drejtohen nga prokurorët e posaçëm Altin Dumani dhe Bledar Maksuti, të cilët kanë ndjekur prej muajsh dosjen e AKSHI-t dhe kanë zgjeruar hetimet edhe ndaj personave të tjerë të lidhur me të.