CNN, Politico dhe MS NOW padisin administratën Trump pas ndalimit nga Shtëpia e Bardhë

CNN, Politico dhe MS NOW kanë njoftuar se do të nisin procedurat ligjore kundër administratës së presidentit amerikan Donald Trump, pasi gazetarëve të tre mediave iu ndalua hyrja në Shtëpinë e Bardhë.

Trump njoftoi të premten vendimin, duke i akuzuar këto organizata mediatike se publikojnë “trillime ose gënjeshtra” për administratën e tij. Kompanitë mediatike deklaruan se gazetarëve të tyre iu mohua hyrja në ndërtesë të shtunën.

Në një deklaratë të përbashkët të hënën, CNN, Politico dhe MS NOW thanë se po ndjekin rrugën ligjore për të “mbrojtur parimin se qeveria nuk vendos se çfarë raporton shtypi”.

“Pa njoftim apo procedurë, Shtëpia e Bardhë revokoi kredencialet e gazetarëve tanë sepse kundërshtoi raportimet tona”, thuhet në deklaratë.

Sipas tre mediave, nëse ky veprim mbetet i pakundërshtuar, ai përbën një kërcënim për lirinë e shtypit dhe të drejtën e publikut për gazetari të pavarur, pa ndërhyrje nga qeveria.

Kushtetuta amerikane, përmes Amendamentit të Parë, ndalon qeverinë të kufizojë lirinë e shtypit. Gjykatat amerikane e kanë interpretuar tradicionalisht këtë mbrojtje edhe si ndalim të diskriminimit ndaj mediave nga qeveria për shkak të përmbajtjes së raportimeve të tyre.

Trump reagoi në platformën Truth Social, duke mohuar se Shtëpia e Bardhë po ndërmerr një “sulm ndaj shtypit të lirë”. Ai tha se objektivi i administratës janë mediat që i konsideron “FAKE NEWS”.

Të hënën, rrjetet kryesore televizive amerikane njoftuan se do të pezullojnë pjesëmarrjen në sistemin e përbashkët të mbulimit të aktiviteteve të Shtëpisë së Bardhë, një praktikë përmes së cilës mediat ndajnë materiale dhe burime për të transmetuar aktivitetet presidenciale.

Fox News, ABC, CBS, CNN dhe NBC publikuan një deklaratë të përbashkët ku theksuan se publiku ka interes të rëndësishëm për të marrë informacion të saktë dhe të pavarur mbi qeverinë.

“Asnjë administratë nuk duhet të kufizojë një organizatë mediatike sepse kundërshton raportimet e saj”, thuhej në deklaratë.

Vendimi erdhi pasi Shtëpia e Bardhë pengoi CNN të kryente detyrën e saj në kuadër të grupit të mediave që mbulonte udhëtimin e Trump në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

CNN ishte një nga pesë mediat amerikane që kishin mundësinë të transmetonin drejtpërdrejt nga Shtëpia e Bardhë dhe ishte planifikuar të mbulonte udhëtimin e presidentit Trump në Nju Jork të hënën dhe të martën.

Megjithatë, të hënën në mëngjes, hapësira e CNN në zonën e shtypit të Shtëpisë së Bardhë ishte bosh dhe e mbyllur. Ekipi i CNN raportoi nga jashtë zonës së siguruar, në një trotuar publik.

Në vend të saj, një media konservatore televizive, Real America’s Voice, u listua si ekip “dytësor” për udhëtimin e Trump në Nju Jork.

Trump nuk ka specifikuar se cilat raportime konkrete të CNN, Politico dhe MS NOW çuan në vendimin për ndalimin e tyre. Më vonë ai tha se bëhej fjalë për “raportime të grumbulluara gjatë viteve të fundit”.

Presidenti amerikan la të kuptohet gjithashtu se mund të ketë media të tjera që do t’i bashkohen listës së organizatave të ndaluara.

Kur u pyet se cilat media kishte parasysh, Trump përmendi New York Times dhe Washington Post, duke i cilësuar ato si “lajme të rreme”.

Në shkurt, Shtëpia e Bardhë njoftoi se do të merrte kontrollin e grupit të gazetarëve që kanë akses te presidenti Trump. Për më shumë se një shekull, ky sistem ishte administruar nga White House Correspondents’ Association.

Po në shkurt, administrata Trump kufizoi aksesin e gazetarëve dhe fotografëve të Associated Press në ambiente me akses të kufizuar, përfshirë Zyrën Ovale dhe avionin presidencial Air Force One. Vendimi lidhej me përdorimin nga AP të termit “Gjiri i Meksikës”, në vend të “Gjiri i Amerikës”, siç kërkonte administrata.

Associated Press ngriti padi ndaj administratës dhe çështja vijon të jetë në shqyrtim.

Trump ka qenë vazhdimisht kritik ndaj organizatave mediatike, ndërsa administrata e tij ka ndërmarrë veprime ligjore ndaj disa mediave, përfshirë New York Times, Wall Street Journal dhe BBC.