Përplasja për pagat e magjistratëve, Rama fton institucionet e drejtësisë në takim më 28 shtator

Pak ditë pasi Kuvendi miratoi projektligjin për pagat e magjistratëve, kryeministri Edi Rama fton për dialog më date 28 shtator institucionet e sistemit të drejtësisë.

Ftesa u është drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, gjykatave, prokurorive të vendit dhe shoqatave të magjistratëve, ndërsa sipas kryeministrit Rama në tryezë do të jenë edhe përfaqësues të Këshillit të Europës.

Kryeministri, z.Edi Rama ju fton në një tryezë të përbashkët konsultimi, si pikënisje e një procesi të hapur konsultimi, dialogu dhe bashkërendimi ndërinstitucional, me synim diskutimin e përbashkët të parimeve dhe elementeve mbi të cilat mund të ndërtohet një mekanizëm i qëndrueshëm, koherent dhe i parashikueshëm për përcaktimin e pagave në sistemin e drejtësisë, sipas standardeve evropiane.

Diskutimi do të përqendrohet në identifikimin e parimeve, kritereve dhe instrumenteve që duhet të udhëheqin politikën e pagave, duke garantuar njëkohësisht qëndrueshmërinë buxhetore, koherencën ndërinstitucionale, proporcionalitetin ndërmjet funksioneve dhe përgjegjësive”, thuhet në letër.

Me tej, nënvizohet se “nëpërmjet këtij procesi konsultimi synohet të arrihet një qasje e përbashkët institucionale për një mekanizëm pagash që kontribuon në konsolidimin e pavarësisë, integritetin dhe profesionalizimin të sistemit të drejtësisë, duke siguruar rregulla të qarta dhe objektive për përcaktimin dhe rishikimin periodik të tyre”.

Ftesa u është dërguar:

Këshillit të Lartë Gjyqësor

Këshillit të Lartë të Prokurorisë

Gjykatës së Lartë

Prokurorisë së Përgjithshme

Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar

Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar

Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar

Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm

Gjykatës Administrative të Apelit

Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm

Gjykatave Administrative të Shkallës së Parë

Gjykatave të Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm

Prokurorive pranë Gjykatave të Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm

Forumit të Grave Gjyqtare Shqiptare

Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë

Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë

Shoqatës së Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë