Ambasadorja e BE-së në Tiranë thirrje mazhorancës: Ligjet të mos miratohen pa konsultim kuptimplotë

Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë, Sofia Moreira de Sousa, ka kërkuar që procesi i hartimit dhe miratimit të ligjeve në Shqipëri të bëhen me konsultim.

Gjatë fjalës së saj në mbledhjen e 22-të të Komitetit të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri në Tiranë, ajo u shpreh se reformat mund të japin rezultat kur ligjet hartohen në mënyrë të mirë dhe pas një procesi të plotë konsultimi me grupet e interesit. Ndërkohë nënvizoi rëndësinë e Parlamentit për të realizuar një gjë të tillë.

“Për të arritur mbylljen e negociatave, progresi i negociatave kërkon progres në të gjitha reformat që kërkon BE. Duhet të mos kemi kthim mbrapa. Puna për konsolidimin e reformës në drejtësi duhet të vazhdojë duke u fokusuar te drejtësia dhe duke siguruar të gjitha standardet që duhet të ketë sistemi i drejtësisë. Rezultatet duhet të jenë të pakthyeshme. Shqipëria ka bërë hapa përpara për të drejtat e njeriut, por vihet në dukje se përpjekja për të ruajtur ritmin e reformave duhet të vazhdojë. Shpejtësia nuk duhet të rrezikojë mbikëqyrjen e parlamentit dhe bërjen publike të ligjeve. Gjithçka fillon me ligje të mira. Duhet të bëhet konsultim kuptimplotë para se të miratohen. Legjislacioni s’duhet të jetë vetëm teknikisht i saktë, por në përputhje me nevojat e qytetarëve. Duhet të kemi një qasje që të përfshijë gjithë shoqërinë dhe këto reforma bëhen më të realizueshme. Parlamenti ka një rol kyç për ta realizuar një gjë të tillë. Një parlament transparent është një shtyllë e rëndësishme e një demokracie të shëndoshë”, tha ambasadorja e BE në Tiranë.