Investimi strategjik në Durrës, qeveria jep 9 hektarë tokë shtetërore për 1 euro

Qeveria ka miratuar vënien në dispozicion të rreth 9 hektarëve pronë shtetërore në Durrës për shoqërinë “Omnix Albania”, në mbështetje të një investimi strategjik në sektorin e turizmit.

Vendimi përfshin tre pasuri të paluajtshme shtetërore në zonën kadastrale 1522 të Bashkisë Durrës, me një sipërfaqe të përgjithshme prej 90,030 metrash katrorë. Pronat ndodhen në zona të përcaktuara me përparësi për zhvillimin e turizmit dhe do t’i vihen në dispozicion kompanisë përmes një marrëveshjeje përdorimi me tarifën simbolike prej 1 euro.

Qeveria miratoi njëkohësisht projektmarrëveshjen që do të lidhet ndërmjet Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe “Omnix Albania”. Sipas vendimit, vënia në dispozicion e pasurive bëhet “në mbështetje të investimit strategjik në fushën e turizmit”.

Masa mbështetet në ligjin për investimet strategjike dhe në ligjin për turizmin, si dhe në rregullat që parashikojnë përdorimin e pronave shtetërore në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit.

“Omnix Albania” është regjistruar në vitin 2008 dhe ka selinë në Gjirin e Lalzit, Durrës. Objekti i aktivitetit të saj përfshin zhvillimin e pasurive të paluajtshme, investimet në infrastrukturë dhe turizëm, si edhe punimet e ndërtimit..

Sipas të dhënave të regjistrit tregtar, 50% e kapitalit të “Omnix Albania” zotërohet nga “Klar”, ndërsa “Matrix Konstruksion” dhe “Blessed Investment” zotërojnë nga 17.5% secila dhe “RDA Petrol” 15%.

Për zbatimin e vendimit ngarkohen Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe “Omnix Albania”. Monitor