Shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve kanë kallëzuar në SPAK ministrin e Financave, Petrit Malaj, sekretarin e përgjithshëm të kësaj ministrie, si dhe drejtuesit e degëve të Thesarit në rrethe pas bllokimit të pagave të muajit gusht.
Në kallëzim kërkohet që organi i prokurorisë të hetojë rrethanat e krijuara dhe të identifikojë personin ose personat që kanë marrë, transmetuar apo zbatuar vendimmarrjen që ka sjellë mosdhënien e pagave.
Gjyqtarët sqarojnë gjithashtu se kallëzimi penal nuk synon zëvendësimin e mjeteve administrative, gjyqësore apo institucionale për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mbi mënyrën e përllogaritjes së pagave.
“Përmes këtij kallëzimi, na lejoni t’iu parashtrojmë rrethanat e faktit dhe argumentimin e kompetencës suaj si dhe përgjegjësisë penale të të kallëzuarve për veprat penale të parashtruara në objektin e këtij kallëzimi.
Ky kallëzim paraqitet për shkak të situatës së krijuar nga mosekzekutimi i pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve për muajin gusht 2026, situatë e cila nuk prek një magjistrat të vetëm, por një numër të konsiderueshëm gjyqtarësh dhe prokurorësh në Republikën e Shqipërisë.
Kallëzimi paraqitet me qëllim që organi i prokurorisë të identifikojë personin/personat që kanë marrë, transmetuar ose zbatuar vendimmarrjen konkrete që ka sjellë mosekzekutimin e pagave.
Ky kallëzim nuk synon zëvendësimin e mjeteve administrative, gjyqësore apo institucionale për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve lidhur me mënyrën e përllogaritjes së pagave dhe as ushtrimin e presionit ndaj ndonjë institucioni shtetëror për një rezultat të caktuar financiar.
Qëllimi i tij është vetëm hetimi penal i ligjshmërisë së veprimeve ose mosveprimeve konkrete që kanë sjellë mosekzekutimin e pagave dhe përcaktimi i përgjegjësisë individuale sipas ligjit”, thuhet në kallëzim.