Dhoma Kombëtare e Avokatisë ka vendosur bojkotimin e të gjitha seancave gjyqësore në shenjë proteste ndaj rregullores së re të Gjykatës së Posaçme (GJKKO) që u ndalon avokatëve përdorimin e telefonave celularë brenda ambienteve gjyqësore.
Bojkoti, sipas tyre, nuk do zbatohet vetëm për masat e sigurisë.
“Gjatë takimit u propozuan tre gjëra, por ne vendosëm unaninisht që të bojkotojmë seancat gjyqësore në GJKKO dhe mos të bëjmë bojkot për masat e sigurisë. Për ata që nuk e zbatojnë do të marrim masa disiplinore deri në heqjen e licensës. Ky vendim hyn në fuqi menjeherë”, tha kreu i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia.
Dhoma Kombëtare e Avokatisë i bëri kërkesë GJKKO që të pezullojnë menjëherë rregulloren e re dhe avokatët të mbajnë celular në sallën e gjyqit.
“Pezulloni menjëherë rregulloren e re. Na garantoni të drejtën për të mbajtur celular në sallë. KLGJ të ndërhyjë për pezullimin e rregullores së re”.
Kujtojmë se Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka miratuar një rregullore të re, e cila përcakton një sërë rregullash për hyrjen në godinë, ndjekjen e seancave gjyqësore dhe aktivitetin e medias.
Kjo praktikë është kundërshtuar nga palët e prekura nga këto masa kufizuese, ndaj kanë kërkuar rishikimin e saj, pasi e cilësojnë si pengim të punës së tyre.