Arben Ahmetaj ka vijuar me denoncimet e forta kundër qeverisë së Edi Ramës, teksa nuk mund të mungonte edhe emri i Belinda Ballukut, e pandehur nga SPAK dhe e shpëtuar prej burgut nga mazhoranca socialiste.
Sipas tij, Belinda Balluku vijon të emërojë ministra, madje edhe kërcënon kryeministri Rama nëse ia prek të emëruarit.
“Nuk ka zgjedhje me këtë, sepse ka vjedhur rregullat e lojës. Paratë e kanë zhdukur fushën. Struktura e Belinda Ballukut dhe e kreut të organizatës dhe në AKSH, dhe në energji dhe në Kadastër është e fortë e vazhdon. Struktura nuk është cenuar. Struktura është më e fortë se kurrë.
Belinda Balluku emëron ministra dhe e kërcënon Ramën nëse ia prek ministrat. E masakruan ish-ministrin e Shëndetësisë, për një ligj, që do të bëjë ky një kartel të vetin. Protesta është shpëtimi i Shqipërisë”, tha ai.
Ahmetaj hodhi akuza edhe ndaj Erion Veliajt, për të cilin tha se festoi me shishe whiskey kur doli urdhri për arrestimin e tij.
Ai pretendoi gjithashtu se kishte ekzistuar edhe një plan për eliminimin e tij në burg, duke e lidhur këtë me atë që ai e cilëson si “kreu i organizatës”.
“Kur më doli emri për t’u arrestuar, Erion Veliaj hapi një shishe uiski. Këta do festonin, do hapnin dhe një shishe tjetër, kur unë në burg, për shkak të gjakxehtësisë time, do isha eliminuar”, u shpreh Ahmetaj.