Është shoqëruar me debate mbledhja e Konferencës së Kryetarëve këtë të martë, teksa pasdite nis sesioni i ri parlamentar.
Kryetari i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi akuzoi kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi se po e nis Kuvendin në shkelje të Kushtetutës për shkak se sesioni i ri duhet të niste ditën e nesërme, dhe jo sot.
“Ju jeni kryetari i Kuvendit i vetmi në histori që konsideroni më të rëndësishëm zbatimin e një akti qeveritar sesa Kushtetutën. Në hierarkinë e normave ju nuk vendosni Kushtetutën e Shqipërisë, por urdhrat e Këshillit të Ministrave.
Na folët këtu se si do të jetë sesioni i ri parlamentar, por ju po e nisni këtë sesion duke shkelur Kushtetutën. E mbyllët sesionin e kaluar duke shkelur Kushtetutën, tani po e nisni me shkelje kushtetuese. Do të duhej që ky Kuvend ta niste sesionin nesër. Po ju nuk jeni serioz, nuk e njihni Kushtetutën.”, tha ai.
Ndërkohë duke u ndalur te ngërçi i pagave të magjistratëve, Bardhi tha se gjykatat janë sot në kolaps pasi mazhoranca nuk respekton Kushtetutën.
“Sot gjykatat janë në kolaps pikërisht sepse ju nuk respektoni Kushtetutën. Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese për pagat e gjyqtarëve dhe ju nuk merreni me atë çështje. Për ju nuk ka rëndësi Kushtetuta. Ka një vendim të Këshillit të Legjislacionit për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por ju nuk veproni. Pasojat janë se gjyqtarët janë pa paga dhe sot gjykatat janë në krizë. Përgjegjës është Kuvendi, i cili nuk respekton vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, tha Gazment Bardhi.