Denoncimi i fortë i Arben Ahmetajt: Rama trafik armësh me shqiptaro-izraelitin Ron Yeffet, “KAYO” është kompani kriminale

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka bërë deklarata të forta në emisionin “Çim Peka Live”, duke paralajmëruar publikimin e materialeve audio dhe dokumenteve që, sipas tij, përmbajnë të dhëna që implikojnë persona të rëndësishëm të politikës dhe biznesit në Shqipëri.

Ahmetaj tha se disponon në telefon dhe në një USB materiale përgjimesh, ndërsa zbuloi se mes tyre ndodhet edhe një interceptim rreth treorësh i kryer në Monako.

“Kam dhe 3 orë në USB të shkëputur. Ka dhe një interceptim tjetër në Monako, tre orë, ku kreu i organizatës është kryefjala. Bëhet fjalë për vazhdimin. Aty është një serial tjetër krimi me krim të organizuar”, deklaroi Ahmetaj.

Sipas ish-zëvendëskryeministrit, materialet që pretendon se disponon lidhen edhe me shqiptaro-izraelitin Ron Yeffet, të cilin ai e përshkroi si një personazh me lidhje të hershme me kryeministrin Edi Rama.

Ahmetaj pretendoi se Yeffet ka qenë i pranishëm në Shqipëri dhe se emri i tij shfaqet në një sërë marrëdhëniesh biznesi që, sipas tij, lidhen me kompaninë KAYO dhe sektorin e mbrojtjes.

Një nga akuzat më të forta të Ahmetajt ishte ajo për trafik armësh. Ai pretendoi se në materialet audio që disponon do të ketë elementë që lidhen me këtë veprimtari.

“Do të shihni në disa dokumente kontributin e Ron Yeffetit. Në audio-përgjim do të kesh elementë të trafikut të armëve. Do të kemi dhe Ermal Raketën”, tha Ahmetaj.

Ai e lidhi këtë deklaratë me një person që e identifikoi me pseudonimin “Ermal Raketa”, duke pretenduar se bëhet fjalë për ministrin aktual të Mbrojtjes, Ermal Nufin.

Ahmetaj u ndal gjatë edhe te ajo që ai e quajti “koncepti KAYO”, duke pretenduar se bëhet fjalë për një skemë me shtrirje në disa kompani dhe fusha të aktivitetit ekonomik.

Sipas tij, materialet që pritet të publikohen do të hedhin dritë mbi marrëdhëniet mes kompanive Timak, Timak Defense, KAYO dhe personave që ai përmendi gjatë intervistës.

“Ne e kemi denoncuar konceptin KAYO. Do dëgjoni në audiopërgjim, koncepti KAYO si koncept kriminal shtrihet sot në të gjithë damarët financiarë të shtetit në mënyrë kriminale”, deklaroi ai.

Ahmetaj përmendi gjithashtu kompani dhe struktura të tjera që, sipas tij, lidhen me këtë rrjet, duke folur për Timak Special Vehicles, Timak Defense, Timak Aviation dhe kompani të tjera.

Në vijim të deklaratave të tij, Ahmetaj tha se dokumentet që pretendon se do të publikojë përfshijnë edhe të dhëna mbi udhëtime me charter, qëndrime në hotele në Itali dhe shpenzime që, sipas tij, lidhen me personat që ai akuzon.

Ai përmendi shifra të konsiderueshme për udhëtime dhe qëndrime, duke pretenduar se këto të dhëna do të shërbejnë për të dokumentuar marrëdhëniet mes personazheve të përfshirë në denoncimin e tij.

Ahmetaj deklaroi se materialet do të publikohen në disa “raunde”, duke paralajmëruar se pjesa e parë e tyre do të fokusohet te audiopërgjimet.

“Këtu kam ofruar gjashtë raunde për të mos i marrë kohë shqiptarëve. Raundi i parë”, tha ai.