Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) shprehu të shtunën shqetësim për mbylljen e faqes në Facebook të medias së pavarur Citizens.al, vetëm pak kohë pasi faqja zyrtare e Euronews Albania në Instagram u bë e paaksesueshme.
“Mbyllja e njëpasnjëshme e faqeve të mediave, në një periudhë kur janë raportuar probleme me qindra llogari shqiptare, nuk mund të trajtohet më si një incident i izoluar apo vetëm si një çështje teknike,” tha AGSH nëpërmjet një deklarate për mediat.
“Kufizimi i aksesit të mediave në kanalet kryesore të komunikimit me publikun cenon shpërndarjen e informacionit dhe ngre shqetësime serioze për lirinë e medias,” shtoi Asociacioni.
Citizens.al është një media e cila, ndër të tjera, ka raportuar në mënyrë të vazhdueshme zhvillimet e protestave të “Revolucionit të Flamingove”.
Sipas AGSH-së, mbyllja e faqes së saj në Facebook, pa një shpjegim publik dhe transparent, “shton dyshimet dhe shqetësimet” për mënyrën se si po zbatohen mekanizmat e moderimit dhe raportimit në platformat e kompanisë Meta.
“Faqja e Citizens.al në Facebook u mbyll pa asnjë njoftim paraprak,” shkroi Lorin Kadiu, drejtuesi i Citizens.al. “Ky nuk është sulmi i parë ndaj nesh, po punojmë për ta rikthyer,” shtoi ai.
Më herët, edhe faqja zyrtare në Instagram e Euronews Albania ishte bërë e paaksesueshme. Gjatë ditëve të fundit janë raportuar disa raste kur llogaritë e aktivistëve dhe politikanëve që mbështesin protestën janë pezulluar në këtë platformë.
Euronews Albania deklaroi se mbyllja e faqes së saj në Instagram kishte ardhur pak orë pas një interviste me eurodeputetin Sandro Gozi, ku ai foli për valën e llogarive shqiptare të mbyllura në rrjetet sociale gjatë ditëve të fundit.
“Platformat digjitale kanë përgjegjësi të garantojnë procese të qarta, transparente dhe të drejta,” tha AGSH. “Kur vendime të tilla prekin mediat dhe aksesin e publikut në informacion, çështja nuk është më vetëm teknike, por prek drejtpërdrejt lirinë e medias dhe të drejtën për informim,” përfundoi organizata e lirisë së medias.
Në mbështetje të Euronews Albania reaguan gjithashtu Asociacioni i Gazetarëve Europianë (AEJ) dhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, të cilët shprehën shqetësim për mbylljen e llogarisë së medias në Instagram.