Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me përplasjen gjatë ditës së djeshme mes biznesmenëve Luan Muça dhe Vasil Bedinajt.
Rama ka njoftuar sot se do të shpronësojnë zonën për të cilin nisi konflikti, që e cilësoi si banal e brutal.
“Ne kemi vendosur ta shpronësojmë për interes publik të gjithë atë zonën e atij konflikti banal e brutal të ditës së djeshme dhe ta kthejmë sipas ligjit në një aset publik dhe turistik për të gjithë, një oaz natyror për pemën e bekuar të ullirit, një park i gjallë ku do të mbillen dhe ruhen varietetet autoktone shqiptare dhe ato më përfaqësuese të Mesdheut, si edhe do të ekspozohen tërë vajrat e ullirit që prodhohen në Shqipëri”- tha Rama përmes një video- mesazhi në Facebook.
Sipas kreut të qeverisë, sjellja e dy biznesmenëve nuk duhet të cenoj imazhin dhe misionin e Shqipërisë si destinacion turistik.
“Jo vetëm duhet t’i japim fund kësaj historie, por edhe t’i japim një mesazh të qartë të gjithë atyre që zhvillojnë apo edhe menaxhojnë asete turistike”, u shpreh Rama.
“Historia e djeshme e konflikti banal dhe brutal mes dy ndërtuesve dhe nga ana tjetër një analizë e hartës pronësore të zonës në fjalë na ka bindur se vetëm jo duam t’i japim fund asaj historie, por dhe një mesazh të qartë të gjithë atyre që zhvillojnë dhe menaxhojnë asete turistike. Ata nuk e kuptojnë që nuk mund ta cenojnë me qasjet dhe sjelljet e tyre lënduese atë që është mision i madh kombëtar, i Shqipërisë Turistike që shkon shumë përtej transformimi fizik të vendit, dhe u imponon të gjithë aktorëve të vet në radhë të parë nga investitorët te kamarierët që të mendojnë dhe të sillen si ambasadorë të turizmit edhe me njëri tjetrin, lërë pastaj me shoqërinë shqiptare dhe me vizitorët e panumërt që trokasin në dyert e Shqipërisë.
Prandaj banaliteti dhe brutaliteti i çdo natyre duhet të marrin përgjigjet që kërkon rëndësia shoqërore e një misioni të tillë kombëtar dhe autorët e veprimeve lënduese të çdo niveli, me dhunë mbi tjetrin, me harbutllëk mbi klientët, me papërgjegjshmëri mbi hapësirën e përbashkët publike apo me akte arrogance apo zhurma shurdhuese mbi komunitetin duhet të bëhen shembull. Shembull të një vije të kuqe të dosmosdoshme për Shqipërinë turistike.
Ne kemi vendosur ta shpronësojmë për interes publik të gjithë atë zonën e atij konflikti banal e brutal të ditës së djeshme dhe ta kthejmë sipas ligjit në një aset publik dhe turistik për të gjithë, një oaz natyror për pemën e bekuar të ullirit, një park i gjallë ku do të mbillen dhe ruhen varietetet autoktone shqiptare dhe ato më përfaqësuese të Mesdheut, si edhe do të ekspozohen tërë vajrat e ullirit që prodhohen në Shqipëri.
Një adresë e re informimi, hapësirë e re e dijes e turizmit të eksperiencës, një tokë që ndau me dhunë dy investitorë fqinj, duke pështirosur të gjithë Shqipërinë do të kthehet në një hapësirë që i bashkon të gjithë në një territor paqeje nën hijen dhe bekimin e pemës së paqes. Pemës së bekuar të ullirit. “, tha Rama.