Pas “vetëm” 13 vitesh në pushtet, më në fund kryeministri Edi Rama duket se ka zbuluar se cilat janë 3 problemet që qytetarët kanë me shtetin.
Nga mbledhja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Rama tha se “plaga e parë” është “shteti labirint”, pasi qytetari nuk di kur dhe kush duhet t’i përgjigjet.
E dyta sipas tij është mungesa e memories institucionale, pasi institucionet nuk mbajnë një regjistër llogarish për atë që bëhet apo që duhet të bëhet.
Ndërsa e treta, sipas kreut të qeverisë, është “plaga e derës që nuk duket”, që do të thotë se në Shqipëri njohja vlen më shumë se merita dhe fati vlen më shumë se ligji.
“Sot duhet të ndeshemi me 3 plagë që ushqejnë njëra tjetrën. Njëra plagë është plaga e shtetit labirintit, qytetari nuk di kur dhe kush duhet ti përgjigjet. Plaga 2 është mungesa e memories institucionale. Premtohet, flitet vendoset por nuk mbahet regjistër llogarish për atë që u bë, për atë që nuk u bë, për atë që u vonua apo për atë që ndryshoi rrugës. Memoria institucionale nuk është protokolli i institucionit. Është shumë më tepër. Mungesa i kushton shtetit dhe qytetarit shumë herë më tepër se sa mund të imagjinohet. E treta është plaga e derës që nuk duket, të cilën e sheh dhe mund ta prekësh tek ndjenja shpesh herë e drejtë e çdo njeriu në Shqipëri që për një shërbim, për një vend pune, njohja vlen më shumë se merita dhe fati vlen më shumë se ligji. Pasqyrë Albania, Prania besnike, Besa dhe shkalla e meritës janë pjesë e pandashme e përpjekjes për t’iu dhënë përgjigje këtyre pyetjeve”, tha Rama nga grupi i PS.