Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Ndërfushas, ku 65-vjeçari Viktor Bardhi është qëlluar për vdekje me armë zjarri.
Sipas informacioneve paraprake, Bardhi dyshohet se është ekzekutuar në një atentat të mirëorganizuar. Pas ngjarjes, autorët e dyshuar mësohet se kanë djegur automjetin me të cilin kanë lëvizur, në përpjekje për të zhdukur gjurmët, dhe më pas janë larguar nga zona.
Ngjarja rikthen në vëmendje një seri episodesh të rënda të lidhura me familjen Bardhi. 65-vjeçari Viktor Bardhi ishte vëllai i Martin Bardhit, i cili u vra në vitin 2023, në një ngjarje të dyshuar si pjesë e një konflikti të vjetër hakmarrjeje.
Martin Bardhi ishte përmendur gjithashtu në lidhje me dyshime mbi përfshirjen në vrasjen e Saimir Reçit.
Ndërkohë, në vitin 2025, në Vlorë u vra Kristian Marku, i afërm i familjes Bardhi dhe nip i Viktor e Martin Bardhit, duke e bërë edhe më të ndërlikuar historikun e përplasjeve mes familjeve.
Hetuesit po punojnë për të zbardhur motivin e saktë të vrasjes së sotme, identifikimin e autorëve dhe përcaktimin e lidhjeve të mundshme me ngjarjet e mëparshme.
Forcat e policisë vijojnë kontrollet dhe kërkimet në zonë për kapjen e autorëve, ndërsa pritet që në vijim të dalin më shumë detaje rreth dinamikës së ngjarjes.