BE-ja i vendos ChatGPT-në, Reddit-in dhe Roblox-in nën rregullat më të rrepta të sigurisë digjitale

Komisioni Evropian ka klasifikuar ChatGPT si “Motor Kërkimi Shumë të Madh Online” (VLOSE) dhe Reddit e Roblox si “Platforma Shumë të Mëdha Online” (VLOP), duke i vendosur të treja nën regjimin më të rreptë të sigurisë dhe mbikëqyrjes online të Bashkimit Evropian, në kuadër të Aktit për Shërbimet Digjitale (DSA).

Ky është rasti i parë që një chatbot me inteligjencë artificiale klasifikohet si motor kërkimi sipas DSA-së. Vendimi mund të ketë pasoja veçanërisht të rëndësishme për ChatGPT, pasi Komisioni Evropian ka arritur në përfundimin se një chatbot që merr rezultate në kohë reale nga interneti funksionon, nga pikëpamja rregullatore, si motor kërkimi dhe jo thjesht si një platformë.

“Këto klasifikime të reja nënkuptojnë se ChatGPT, Reddit dhe Roblox do t’i nënshtrohen një niveli më të lartë kontrolli dhe përgjegjshmërie në Bashkimin Evropian, në përputhje me ndikimin e tyre të madh te qytetarët dhe shoqëria”, tha Henna Virkkunen, zv/presidente ekzekutive e Komisionit Evropian për sovranitetin teknologjik, sigurinë dhe demokracinë.

Komisioni e përshkroi ChatGPT si një “shërbim hibrid”, i cili klasifikohet si motor kërkimi online sipas DSA-së, pasi mund të ndërveprojë me përdoruesit dhe t’u përgjigjet pyetjeve të tyre, përfshirë edhe përmes kërkimit në internet.

Ndërkohë, Reddit dhe Roblox janë klasifikuar si Platforma Shumë të Mëdha Online, pasi u mundësojnë përdoruesve të krijojnë dhe të shpërndajnë publikisht përmbajtje.

“Në vijim do të monitorojmë nga afër peizazhin digjital dhe nuk do të hezitojmë të klasifikojmë çdo platformë që përmbush pragun për mbikëqyrje të zgjeruar sipas Aktit për Shërbimet Digjitale”, tha Komisioni.

Katër muaj kohë për të përmbushur rregullat e reja

Sipas DSA-së, shërbimet online që kanë më shumë se 45 milionë përdorues aktivë në muaj në BE – rreth një në 10 banorë të bllokut – klasifikohen si Platforma Shumë të Mëdha Online ose Motorë Kërkimi Shumë të Mëdhenj Online, në varësi të funksionit të tyre.

OpenAI deklaroi se funksioni i kërkimit të ChatGPT kishte mesatarisht rreth 159 milionë përdorues aktivë në muaj në BE gjatë gjashtë muajve që përfunduan në mars 2026. Reddit raportoi 57.2 milionë përdorues, ndërsa Roblox rreth 48 milionë.

Të tre shërbimet kanë tashmë katër muaj kohë, deri në fund të nëntorit, për të përmbushur një sërë detyrimesh që zbatohen për platformat më të mëdha.

Mes tyre janë edhe vlerësimet vjetore të rreziqeve sistemike, që duhet të analizojnë përmbajtjen e paligjshme, mbrojtjen e të miturve, ndikimin te mirëqenia mendore dhe fizike e përdoruesve, të drejtat themelore, proceset zgjedhore dhe sigurinë publike.

Platformat duhet gjithashtu t’u nënshtrohen auditimeve të pavarura dhe të ndajnë të dhëna me autoritetet rregullatore dhe studiues të verifikuar.

Komisioni Evropian do të mbikëqyrë zbatimin e rregullave në bashkëpunim me Coimisiún na Meán të Irlandës, koordinatorin për shërbimet digjitale për ChatGPT dhe Reddit, si dhe me Autoritetin Holandez për Konsumatorët dhe Tregjet (ACM) për Roblox.

Me këto klasifikime, numri i platformave dhe motorëve të kërkimit që i nënshtrohen nivelit më të rreptë të mbikëqyrjes sipas DSA-së shkon në 28.

Gjobat mund të arrijnë deri në 6% të xhiros globale

Rregullorja evropiane ka çuar tashmë në rreth 870 milionë euro gjoba, përfshirë një penalitet rekord prej 550 milionë eurosh ndaj AliExpress në korrik për dështimin në frenimin e shitjes së produkteve të paligjshme dhe të falsifikuara.

Temu u gjobit me 200 milionë euro në maj për shkelje të ngjashme, ndërsa X u gjobit me 120 milionë euro në dhjetor 2025 për mangësi në moderimin e përmbajtjes dhe transparencën.

Mosrespektimi i rregullave mund të sjellë gjoba deri në 6% të xhiros vjetore globale të kompanisë. Për OpenAI, e cila ka të ardhura në rritje të shpejtë, një penalitet i tillë mund të jetë veçanërisht i konsiderueshëm.

Përplasje e re me SHBA-në?

Administrata amerikane e ka parë me shqetësim fushatën e zbatimit të rregullave digjitale nga BE-ja.

Administrata e Donald Trump i ka cilësuar gjobat e vendosura ndaj Apple dhe Meta-s në kuadër të Aktit për Tregjet Digjitale (DMA) si një “formë të re të zhvatjes ekonomike” dhe ka kërcënuar me masa hakmarrëse ndaj vendeve që vendosin rregulla digjitale që prekin kompanitë amerikane të teknologjisë.

Kjo përplasje mund të ashpërsohet më tej pas vendimit të fundit të Brukselit, i cili vendos nën mbikëqyrje të drejtpërdrejtë të Komisionit Evropian edhe tre shërbime të tjera në pronësi amerikane.