37-vjeçarja shtatzënë ndërroi jetë gjatë transportimit në Tiranë, e motra: Na vonuan tre orë në Pogradec, dua drejtësi!

Një ngjarje e rëndë u regjistrua sot ku një 37-vjeçare shtatzënë nga Pogradeci humbi jetën gjatë transportimit në Tiranës, për shkak të një komplikacioni.

Motra e 37-vjeçares ka folur për mediat ku kërkon zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe drejtësi.

“Kërkoj drejtësi, të zbardhet e vërteta, a ndërroi jetë nga pakujdesia apo jo. Unë besoj që nëse do të kishte më shumë shpejtësi, sot do të ishte mes nesh”, 

Ajo rrëfen se motra e saj, shtatzënë në muajin e shtatë, u paraqit në maternitetin e Pogradecit me dhimbje të forta rreth mesnatës dhe, sipas saj, pas një ekoje u konstatua gjakderdhje e brendshme dhe nevoja për transport urgjent drejt Tiranës.

Sipas motrës, gjatë kësaj kohe u diskutua edhe mundësia e transportit me helikopter, por kjo nuk u realizua.

Vajta e çova në maternitet sepse motra ishte shtatzënë. Aty ishte mjekja roje dhe i bëri një eko, tha ka gjakderdhje të brendshme. Ajo tha duhet ta çojmë për Tiranë direkt. Pastaj u mblodhën të gjithë infermierët, dhe mjekja tha duhet çuar sa më parë. Dëgjova disa që po thoshin “duhet të vijë helikopteri”, ndërsa disa thoshin “jo nuk vjen tani se është natë”. Kështu i dëgjoja. Ajo tha ‘nuk kam çfarë t’i bëj më’. Pastaj nuk e di me kë foli doktoresha, erdhën mjekët e reanimacionit të spitalit të Pogradecit. Ata thoshin nuk mund ta çojmë pa pasur një mjek me vete.  Atje në reanimacion pati edhe disa vonesa të tjera.

Sipas dëshmisë së saj, nga momenti i paraqitjes në spital deri në nisjen me ambulancë kanë kaluar rreth tre orë, kohë gjatë së cilës familjarët kanë kërkuar që 37-vjeçarja të transportohej sa më shpejt.

Sipas familjarëve, bashkëshorti i 37-vjeçares ishte larguar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës vetëm tre ditë para ngjarjes, me synimin për të realizuar bashkimin familjar.