Balluku dyshohet se fshehu vilën në Dhërmi në emër të tij, Igli Tare del pas tre orësh nga SPAK

Ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, Igli Tare ka qëndruar për tre orë në ambientet e SPAK, teksa ai është i pandehur nga Prokuroria e Posaçme për akuzën e pastrimit të parave.

Paraqitja e Tares në SPAK lidhet me hetimet që po zhvillohen ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Kjo e fundit dyshohet se ka fshehur në emër të tij një vilë 103 metra katrorë në një zonë rezidenciale në Dhërmi, e cila është vënë në sekuestro me urdhër të SPAK.

Në dalje të SPAK, ai nuk dha komente për arsyen e thirrjes nga prokurorët e posaçëm.

“Falënderoj mediat për mënyrën si e kanë transmetuar”, u shpreh shkurt Tare.

Paraqitja e Igli Tares në SPAK, vjen pas kontrolleve më 30 korrik në shtëpi e zyra të lidhura me ish-futbollistin e Kombëtares. 

Më herët, në kuadër të të njëjtave hetime, ishte thirrur nga prokurorët e posaçëm edhe vëllai i Igli Tares, Agron Tare.