Nga 1 Janari i vitit 2024 qytetarët shqiptarë do të tatohen edhe për të ardhurat nga rrjetet sociale, apo përfitimet e përmuajshme të dëmshmpërblimit nga vendimet gjyqësore për shkurtim të vendit të punës do të konsiderohen si të ardhura nga punësimi dhe do të jenë pjesë e bazës tatimore mbi të cilën llogaritet tatimi mbi pagat.
Pra, çdo e ardhur nga rrjetet sociale si Tik Tok apo Instagram, apo nga platformat ndërkombëtare Air Bnb dhe Booking, do të tatohet si çdo rrogë tjetër.
Përsa u përket ish-të punësuarve që marrin dëmshpërblim pasi janë hequr nga puna padrejtësisht, edhe dëmshpërblimi i tyre do të tatohet sipas normave progresive nga 13 deri 23%. Nëse një punëmarrës merr një të ardhur nga ish-punëdhënësi i tij në formën e bonusit ato do të tatohen sipas normave tatimore mbi pagat nëse pagesa e bonusit është e përmuajshme. Nëse pagesa kryhet në një shumë të vetme do të tatohet 15%.
Udhëzim ndër të tjera përcakton se për rastet kur agjenci të huaja i ofrojnë entiteteve juridike shqiptare fuqi punëtore nga jashtë, por pagesa e fuqisë punëtore i bëhet agjencisë së huaj sipas kontratës, tatimi që llogaritet dhe mbahet si tatim mbi pagën do të jetë jo më pak se 80% e tarifës totale që është paguar nga entiteti shqiptar për agjencinë e huaj të punësimit.
“Një kompani ndërtimi shqiptare ka kërkuar nga një agjenci punësimi kineze që ta furnizojë me 50 punonjës ndërtimi, të cilët do të punojnë për një periudhë 6-mujore. Pagesa totale e cila përfshin koston e punës dhe komisionin e agjencisë është 380 mijë euro.
Për nevoja të zbatimi të paragrafit 3 të nenit 12,të ligjit, fondi i pagave bruto supozohet të jetë 380.000 x 80 % = 304.000 euro. Secili punonjës supozohet të ketë përfituar mesatarisht: 304.000 : 6 muaj : 50 punonjës = 1.013 euro në muaj. Kjo do të jetë baza mbi të cilën do të llogaritet detyrimi tatimor për çdo punonjës, ndërkohë që detyrimin për deklarimin dhe pagesën e tatimit e ka kompania shqiptare e ndërtimit”, citohet në shembullin e udhëzimit.