Përplasja me gazetarin Arjan Konomi, Rama: Shau si i përdalë një grua, e bullizoi bashkë me fëmijën e saj në mes të rrugës

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot pas një denoncimi të bërë nga gazetari Arjan Konomi, i cili tha se e kanë sulmuar truprojat e kryeministrit dhe më pas i kanë marrë edhe telefonin.

Kreu i qeverisë hedh poshtë versionin e Konomit, duke e quajtur atë një “të përdalë” që bëri “para pasqyrës së tij viktimën e dhunuar”, teksa ka publikuar edhe një video ku ai është në kola me bashkëshortjen e tij dhe djalin e tyre, ndërsa Konomi u afrohet.

“Pse e keni parkuar, ku është tabela, ku është tabela, ku është policia të vijë të të vërë gjobë kryeministër, do ca fiq” – dëgjohet të thotë gazetari në videon e publikuar nga Rama, ndrësa më pas video ndërpritet.

“JA QË PËR FAT TË MIRË KA EDHE NJË VIDEO TJETËR, e cila tregon krejt të kundërtën e videos që një dhunues i lirisë së të tjerëve paska vrapuar të tregojë botërisht, duke bërë para pasqyrës së tij viktimën e dhunuar, duke shfrenuar fantazinë dhe duke sharë si i përdalë një grua e një nënë, të cilën e bullizoi bashkë me fëmijën e saj në mes të rrugës – ku ngjarja u zhvillua krejt ndryshe nga rrëfimi në pasqyrë dhe u përhap pastaj në kanalet sociale si një tjetër gënjeshtër e madhe e luftës liridashëse kundër regjimit imagjinar🤡 👿💩👹👺

*Fatmirësisht këtë herë ka një video demaskuese të gënjeshtrës, po imagjinojeni se sa herë të tjera gënjeshtra bën kërdinë mbi të vërtetën nëpër pasqyrat ku kujtojmë se informohemi”- shkruan Rama në postimin e tij.