U tejkaluan afatet, GJKKO ndryshon masën e sigurisë për Gentian Gjylin dhe Erald Elezin

Gjykata e Posaçme ka ndryshuar masën e sigurisë për ish-kreun e ARRSH, Gentian Gjyli dhe për ish-administratorin e KESH, Erald Elezi, të cilët ndodheshin në “arrest shtëpie”, lidhur me procedurat e tenderimit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë.

Ndaj Gjylit dhe Elezit është caktuar sot masa e sigurisë “Detyrim për paraqitje”, si dhe “ndalimi për të dalë jashtë vendit”, pas tejkalimit të afateve.

Gjyli dhe Elezi janë marrë të pandehur nga Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), pasi akuzohen për tenderin e tunelit të Llogarasë, çështje për të cilën u mor e pandehur edhe ish-zv.kryeministrja, Belinda Balluku.

Elezi po hetohet nga SPAK në cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në Autoritetin Rrugor Shqiptar, ndërsa Gentian Gjyli ka mbajtur detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Ndërtimit dhe Mirëmbajtjes në ARRSH.