Florjan Vuka alias Vathaj, është ekstraduar nga Greqia drejt Shqipërisë, pasi ishte shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të një hetimi për trafik ndërkombëtar të drogës.
Ai është pjese e grupit të Jetmir Pepës, të cilët kanë trafikuar në disa episode rreth 7.5 tonë kokainë nga Amerika Latine në Europë. Sipas dosjes së SPAK, aktiviteti i grupit është shtrirë në Amerikën Latine, Belgjikë dhe Holandë.
Vuka pritet të dalë përpara Gjykatës së Posaçme për vlerësimin e kushteve të masës së sigurisë.
Ndërkohë Alma Kodraliu është caktuar nga shorti elektronik si gjyqtarja e cila do të vendosë vijimin e masës “arrest në burg”, të vendosur më herët ndaj Vukës, apo nëse do të caktojë një masë më të lehtë.