Në Ksamil vijojnë kërkimet për 29-vjeçarin Sokrat Vata, i dyshuar nga policia si autor i ngjarjes së rëndë ku humbi jetën 20-vjeçari francez Miguel Mendes.
Vata, i cili punonte si roje plazhi në hotelin “Proncipotes”, është larguar nga vendi i ngjarjes menjëherë pas krimit. Policia ka vijuar kontrollet në zonë për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Ndërkohë, detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me rrethanat e vdekjes së turistit francez. Miguel Mendes u gjet pa shenja jete rreth orës 05:15, në shezlongët e një plazhi, pranë një lokali.
Sipas bulrimeve, nga këqyrja e trupit në morgun e Sarandës është konstatuar se 20-vjeçari kishte marrë disa goditje me thikë në shpinë dhe në kraharor. Plagët e marra dyshohet se kanë qenë të rënda, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Mendes kishte mbërritur në Ksamil së bashku me një grup turistësh francezë, për të kaluar pushimet në jug të Shqipërisë. Ngjarja e rëndë ka tronditur turistët dhe pushuesit që ndodheshin në zonë.
Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë, ndërsa autoritetet janë përqendruar në gjetjen e 29-vjeçarit të dyshuar.