Është arrestuar Sokrat Vata, autori i vrasjes së 20-vjeçarit francez Miguel Mendes, ngjarja e ndodhur mëngjesin e sotëm në Ksamil.
Mësohet se i riu u arrestua në Fier, teksa ishte fshehur në bagazhin e një makine e cila drejtohej nga një vajzë dhe pasagjer ishte edhe një person tjetër.
29-vjeçari Vata, rezulton i dënuar më parë për trafik droge në Britaninë e Madhe.
I riu francez Miguel Mendes u gjet i pajetë në shezlongët e plazhit, para një lokali në zonën e Ksamilit, në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta, Sokrat Vata qëlloi me thikë Miguel Mendes, duke i marrë jetën.
Njoftimi i policise:
Levan, Fier/Kapet dhe vihet në pranga, pas 5 orësh nga vrasja, autori i dyshuar i vrasjes së 20-vjeçarit, në Ksamil
Kapja e tij u bë si rezultat i koordinimit dhe bashkëpunimit të shërbimeve të Policisë të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Fier.
Autori i dyshuar u kap nga shërbimet operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e forcës “Shqiponja” të DVP Fier, në pikën e përbashkët të kontrollit të ngritur për kapjen e tij, në aksin rrugor “Levan-Fier”.
Autori i dyshuar, shtetasi S. V., 29 vjeç, ishte fshehur në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga një 31-vjeçare, shtetase turke, ndërsa në automjet udhëtonte si pasagjer edhe një 38-vjeçar, shtetas turk.
Autori i dyshuar dhe dy shtetasit turq u shoqëruan në DVP Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Ndërkohë, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes