Rrjedha e të dhënave nga TIMS, prokuroria: AMP nuk na ka dorëzuar të plota materialet që duhen hetuar

Pas denoncimit nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore mbi rrjedhen e të dhënave nga sistemi TIMS, prokuroria kërkon hetime të mëtejshme.

Një muaj më parë ishte fillimisht ambasada e SHBA që ngriti shqetësimin lidhur me shkeljet në sistemin TIMS ku rezultonte se kishte ndërhyrë Policia e Shtetit. Më pas denoncimi në prokurori u bë nga AMP. Por kjo e fundit sipas prokurorisë nuk i ka dorëzuar të plota materialet për hetim.

Në kuadër të këtyre hetimeve, Prokuroria i ka kërkuar AMP të marrë në pyetje të gjithë zinxhirin drejtues dhe efektivët bazë që kanë pasur lidhje me rastin konkret. Si dhe sigurimi i disa provave të tjera që lidhen me akt ekspertime të kompjuterave në ato zyra.

Ngjarja në fjalë ndodhi më 2 gusht 2023, kur një grup i mirëorganizuar, i kryesuar nga një Drejtues i Lartë i Policisë, tentoi apo realizoi një ndërhyrje të paautorizuar në sistemin TIMS,.

Denoncime publike lidhur me rastin kishte bërë dhe Partia Demokratike, sipas se ciles vjedhja u krye nga drejtori i Departamentit të Teknologjisë së Informacionit, Ervin Muça, që më pas u pezullua nga detyra. Sipas PD-së, ai eksportoi të gjithë bazën e të dhënave të TIMS në një harddisk të jashtëm.

Ministri Balla ka tentuar të zhvlerësojë rëndësinë e çështjes, ndërsa është shprehur se ka qenë ai që ka kërkuar “që të dhënat që ka disponuar agjencia e mbikëqyrjes policore të vlerësohen edhe nga ana e prokurorisë nëse ka ndonjë element”.