Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka kërkuar Shteteve të Bashkuara të shesin një pjesë të rezervave të raketave interceptuese Patriot, duke paralajmëruar se Ukraina po përballet me një mungesë kritike përballë intensifikimit të sulmeve balistike ruse.
Në një intervistë për CNN, Zelensky tha se Ukraina ka aktualisht vetëm rreth një të dhjetën e numrit të raketave interceptuese që i nevojiten urgjentisht për të përballuar sulmet ruse. Sipas tij, nëse SHBA-ja do t’i shiste Ukrainës 5% të stokut të saj aktual, Kievi do të mund të përballonte dimrin dhe të shpëtonte jetë njerëzish, ndërsa 10% do të mjaftonin për të neutralizuar të gjitha raketat balistike ruse.
“Ne kemi dy herë e gjysmë më pak interceptorë këtë vit sesa kishim në vitin 2025. Rusia ka dy herë më shumë raketa balistike në muaj se më parë”, tha Zelensky.
Presidenti ukrainas theksoi se sulmet ruse janë shtuar ndjeshëm gjatë javëve të fundit, duke goditur veçanërisht rëndë kryeqytetin Kiev. Sipas Kombeve të Bashkuara, korriku ishte muaji më vdekjeprurës për civilët ukrainas që nga prilli i vitit 2022.
“Çdo natë ka sulme dhe katër ose pesë herë në muaj kemi sulme masive. Janë net të tmerrshme. Njerëzit janë shumë heroikë dhe shumë të qëndrueshëm, por janë të lodhur”, tha ai.
Zelensky tha se mungesa e raketave interceptuese është përkeqësuar edhe nga përdorimi intensiv i tyre nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Gjirit gjatë luftës me Iranin, për të përballuar sulmet me raketa dhe dronë.
Ai zbuloi gjithashtu se një pjesë e madhe e angazhimit të tij të përditshëm përfshin përpjekjet për të siguruar më shumë sisteme dhe raketa Patriot nga aleatët.
“Ky është realiteti në të cilin jetoj çdo ditë: nga 1% në 5%. Kam disa muaj dhe miliona telefonata. Përpiqem të shkëmbej diçka për raketa. Bëj disa gjëra për të cilat nuk mund të flas. Kjo nuk do të thotë se janë jashtë ligjit, por nuk mund të flas për to”, deklaroi presidenti ukrainas.
Prodhimi i Patriotëve në Ukrainë
Zelensky tha se ende ekzistojnë pikëpyetje nëse Ukraina do të marrë miratimin për të prodhuar vetë raketat interceptuese Patriot.
Presidenti amerikan Donald Trump kishte deklaruar në kuadër të samitit të NATO-s në Ankara se do t’i lejonte Ukrainës të merrte licencën për prodhimin e këtyre raketave. Megjithatë, disa ditë më vonë ai shprehu pasiguri për këtë ide.
Prodhuesit e sistemeve Patriot kanë dërguar zyrtarë në Kiev për të diskutuar mundësinë e prodhimit, por deri tani nuk është arritur një rezultat konkret.
“Shpresoj se do ta marr. Aktualisht nuk i kam 5% dhe nuk kam një miratim të tillë. Për mua kjo është një sfidë e madhe, një nga më të mëdhatë që kam pasur që nga fillimi i kësaj lufte”, tha Zelensky.
Presidenti ukrainas tha se po i drejtohet drejtpërdrejt Shtëpisë së Bardhë, përmes telefonatave dhe mesazheve, si dhe në mënyrë indirekte përmes aleatëve, për të kërkuar shtimin e ndihmës me sisteme Patriot.
Ai konfirmoi gjithashtu se ka zhvilluar një telefonatë të fundit me nënpresidentin amerikan JD Vance, por nuk dha detaje mbi bisedën.
Sa i përket procesit të paqes të udhëhequr nga administrata Trump, Zelensky tha se Ukraina ka paraqitur propozime të reja, por kërkoi përfshirje më të madhe amerikane.
“Na duhet më shumë përfshirje e palës amerikane në planin e paqes. Jam mirënjohës ndaj ekipit të Presidentit Trump që dëshiron të vazhdojë. Putini nuk dëshiron ta ndalë këtë luftë tani dhe nuk ka mjaftueshëm presion mbi të”, tha ai.
Zelensky hodhi poshtë gjithashtu mundësinë që Ukraina t’i dorëzojë Rusisë territoret e mbetura në Donbas që Moska synon t’i pushtojë. Sipas tij, garancitë e sigurisë janë thelbësore për Kievin.
“Rusia fillon të flasë për këtë luftë dhe flet për territorin. Pyetja kryesore është: pse ai nuk do të vijë përsëri me një ose dy milionë ushtarë pas një pauze të gjatë? Pse nuk do të vijë përsëri për të na pushtuar?”, tha Zelensky.
Presidenti ukrainas shtoi se ndan disa nga vlerësimet e aleatëve perëndimorë se Vladimir Putin mund të kërkojë përshkallëzimin e konfliktit edhe kundër NATO-s, përfshirë një sulm të mundshëm ndaj vendeve baltike.
Sipas Zelenskyt, Putin mund të kërkojë një fitore të shpejtë dhe të plotë, duke synuar pushtimin, shkatërrimin ose kontrollin e një shteti më të vogël, pavarësisht nëse ai është apo jo anëtar i NATO-s.