Refuzohet kërkesa e Ardian Çapjas për të marrë pjesë në varrimin e së ëmës, Policia nuk merr përsipër sigurinë

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka refuzuar kërkesën e të dënuarit me burg përjetë Ardian Çapja për të marrë pjesë në varrimin e nënës së tij në Elbasan.

Mësohet se vendimi është marrë pasi Policia e Shtetit nuk ka marrë përsipër garantimin e sigurisë gjatë shoqërimit të Çapjas jashtë ambienteve të burgut.

Burime bëjnë me dije se Drejtoria e Burgjeve i ka drejtuar një kërkesë Policisë, duke pyetur nëse ajo do të merrte përsipër shoqërimin dhe sigurinë e Çapjas gjatë daljes nga burgu për të marrë pjesë në varrim.

Megjithatë, sipas të dhënave paraprake, Policia nuk i ka kthyer përgjigje kërkesës, duke bërë që Çapja të mos mund të merrte pjesë në ceremoninë mortore.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar shpalli më 19 prill 2023 vendimin për dënimin me burgim të përjetshëm të Ardian Çapja për vrasjen e babë e bir, Nezir dhe Gentian Beqirit më 15 gusht të vitit 2012 në banesën e tyre.