Pesë ditë pas grabitjes me armë në një argjendari në Paskuqan, Policia e Tiranës ka siguruar një tjetër provë që mund të ndihmojë në identifikimin e autorëve.
Bëhet fjalë për motorin e dyshuar se është përdorur nga dy grabitësit gjatë kryerjes së krimit dhe largimit nga vendngjarja.
Nga analizimi i kamerave të sigurisë, policia ka rindërtuar lëvizjet e dy autorëve para dhe pas grabitjes. Dyshohet se ata kanë përdorur të njëjtën rrugë si në mbërritje, ashtu edhe gjatë largimit nga argjendaria “Luani”.
Autorët kanë lëvizur me një motor pa targa dhe, për t’iu shmangur identifikimit, kanë zgjedhur rrugë dytësore dhe rrugica në zonën periferike të Kamzës, duke mos kaluar në akset kryesore.
Të maskuar dhe të armatosur me kallashnikovë, dy personat kanë hyrë në argjendari dhe kanë marrë vetëm bizhuteri floriri. Vlera e sendeve të grabitura dyshohet se i kalon 1.5 milionë lekët.
Një nga pistat që po hetohet është mundësia që njëri prej autorëve të ketë hyrë më herët në argjendari, duke u paraqitur si klient. Kjo dyshohet për shkak të mënyrës së organizimit të grabitjes dhe faktit se autorët duket se kishin informacion të saktë për vendndodhjen e bizhuterive me vlerë.
Gjetja e motorit pritet t’u shërbejë hetuesve për të mbledhur prova të tjera dhe për të gjurmuar lëvizjet e autorëve.
Ndërkohë, vijojnë veprimet hetimore për identifikimin dhe kapjen e dy personave të dyshuar për grabitjen.