Netanyahu kundër planit 15-pikësh të Trump për Gazën: Izraeli nuk tërhiqet pa çarmatosjen e Hamasit

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka hedhur poshtë planin 15-pikësh për Gazën, të mbështetur nga presidenti amerikan Donald Trump, duke deklaruar se forcat izraelite nuk do të tërhiqen nga territori palestinez përpara çarmatosjes së plotë të Hamasit.

Në nisje të mbledhjes së përjavshme të kabinetit, më 9 gusht, Netanyahu tha se Izraeli nuk e pranon dokumentin në formën aktuale.

Sipas tij, çdo tërheqje e forcave izraelite duhet të vijë vetëm pasi Hamasi të jetë çarmatosur në mënyrë reale dhe të verifikueshme. Netanyahu sqaroi se kjo nënkupton dorëzimin e të gjitha armëve, nga armatimet e rënda deri te ato të lehta.

Kryeministri izraelit bëri të ditur gjithashtu se dokumenti është duke u diskutuar me administratën amerikane.

Çfarë parashikon plani i Trump?

“Bordi i Paqes” publikoi planin e veprimit më 31 korrik, një ditë pasi Trump njoftoi se Hamasi dhe grupet e tjera të armatosura kishin rënë dakord të dorëzonin arsenalet e tyre.

Dokumenti parashikon që çdo fazë e tërheqjes së ushtrisë izraelite të lidhet me verifikimin e çarmatosjes së grupeve të armatosura. Pra, sipas planit, procesi nuk kushtëzohet nga një dorëzim i menjëhershëm i të gjitha armëve përpara nisjes së tërheqjes.

Një tjetër pikë e planit lidhet me administrimin civil të Gazës. Sipas propozimit, drejtimi i territorit do t’i kalonte një komiteti palestinez, i cili ka marrë përsipër administrimin pas strukturave të kontrolluara nga Hamasi.

Plani përmend gjithashtu një rrugë të mundshme drejt krijimit të një shteti palestinez.

Pikërisht kjo pjesë e dokumentit është kundërshtuar nga Netanyahu.

Kryeministri izraelit deklaroi se nuk do të lejojë krijimin e një shteti palestinez, qoftë në Gaza apo në Bregun Perëndimor, për sa kohë ai ndodhet në detyrë.

Nga ana tjetër, Hamasi deklaroi disa orë më vonë se mbetet i angazhuar ndaj planit të dakordësuar me ndërmjetësit dhe “Board of Peace”, ndërsa kërkoi përcaktimin e një afati të qartë për zbatimin e marrëveshjes.

Bassem Naim, një prej figurave të zyrës politike të Hamasit, akuzoi Netanyahun se po rrezikon negociatat për përfitime elektorale.

Bashkimi Evropian ka mbështetur planin më të gjerë të paqes dhe Rezolutën 2803 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, mbi të cilën mbështetet iniciativa.

Brukseli ka premtuar rreth 900 milionë euro për fazën e parë të rimëkëmbjes së Gazës dhe e ka lidhur financimin me largimin e armëve nga duart e Hamasit.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, e kishte cilësuar marrëveshjen për çarmatosjen si një “hap konstruktiv”, por kishte paralajmëruar se verifikimi i zbatimit të saj do të jetë një nga sfidat kryesore.

Sipas saj, në një fazë të mëvonshme Izraeli duhet të tërhiqet nga Gaza.

Në procesin e tranzicionit pritet të përfshihen edhe dy misione evropiane: misioni për asistencën kufitare në Rafah dhe misioni policor për territoret palestineze.

Ndërkohë, kabineti izraelit i sigurisë ka miratuar hyrjen fillestare të një Force Ndërkombëtare Stabilizimi në Gaza. Faza e parë parashikon rreth 200 pjesëtarë nga vende të ndryshme, mes tyre Maroku dhe Uganda. Izraeli ruan të drejtën e vetos për vendet që do të mund të dërgojnë trupa.

Qëndrimi i kryeministrit izraelit vjen në një moment të ndjeshëm politik.

Netanyahu përballet me zgjedhjet e përgjithshme të 27 tetorit, ndërsa shumica e koalicionit të tij qeverisës mbetet e pasigurt. Në të njëjtën kohë, ministrat e krahut të djathtë po i bëjnë presion për të kundërshtuar çdo tërheqje graduale nga Gaza.

Ndërkohë, operacionet ushtarake izraelite në territorin palestinez janë reduktuar, veçanërisht pas takimit të 3 gushtit mes Netanyahut dhe përfaqësuesit të lartë të “Board of Peace”, Nickolay Mladenov.

Mladenov, ish-ministër i Jashtëm i Bullgarisë, tha për Channel 12 se objektivi i planit është të garantojë që Gaza të mos përbëjë më një kërcënim për sigurinë e Izraelit.