Mesazhi i fortë i Ambasadës amerikane pas arrestimit të Sokol Hoxhës në SHBA

Ambasada amerikane ka reaguar në lidhje me arrestimin në SHBA të Sokol Hoxhës, i dënuar në mungesë për një vrasje të dyfishtë në Shqipëri dhe një tjetër në Belgjikë, teksa ndodhej prej 30 vitesh në arrati.

Ambasada amerikane shkruan se kjo ndryshoi falë punës së palodhur të Njësisë së Hetimeve Penale Ndërkombëtare të Shërbimit të Sigurisë Diplomatike (DSS) pranë Ambasadës së SHBA në Tiranë.

Duke bashkëpunuar me Shërbimin e Marshallëve në SHBA, ICE, Departamentin e Drejtësisë, INTERPOL-in dhe Policinë e Shtetit Shqiptar, DSS luajti një rol kyç në identifikimin e saktë të Hoxhës — duke zbuluar një periudhë gati 30-vjeçare fshehjeje të identitetit të tij.

Në reagimin e saj, Ambasada e SHBA-së theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk do të shërbejnë si strehë e sigurt për persona që përpiqen të përdorin sistemin e emigracionit për t’iu shmangur përgjegjësisë për krime të dhunshme të kryera jashtë vendit.

Postimi i ambasadës amerikane:

Sokol Hoxha mendoi se mund t’i shpëtonte së kaluarës së tij. I dënuar në mungesë për një vrasje të dyfishtë në Shqipëri (2000) dhe për një vrasje tjetër në Belgjikë (2010), Hoxha kaloi dekada duke iu shmangur autoriteteve të zbatimit të ligjit — duke përdorur një identitet të rremë, duke siguruar status ligjor në një tjetër vend europian dhe, përfundimisht, duke përfituar qëndrim të përhershëm të ligjshëm në Shtetet e Bashkuara nën një emër të rremë.

Kjo ndryshoi falë punës së palodhur të Njësisë së Hetimeve Penale Ndërkombëtare të Shërbimit të Sigurisë Diplomatike (DSS) pranë Ambasadës së SHBA në Tiranë. Duke bashkëpunuar me Shërbimin e Marshallëve në SHBA, ICE, Departamentin e Drejtësisë, INTERPOL-in dhe Policinë e Shtetit Shqiptar, DSS luajti një rol kyç në identifikimin e saktë të Hoxhës — duke zbuluar një periudhë gati 30-vjeçare fshehjeje të identitetit të tij.

Ky rast është një kujtesë e fuqishme: Shtetet e Bashkuara nuk do të shërbejnë si strehë e sigurt për ata që keqpërdorin sistemin tonë të imigracionit për t’iu shmangur përgjegjësisë për krime të dhunshme të kryera jashtë vendit. DSS është krenare që qëndron përkrah partnerëve tanë vendas dhe ndërkombëtarë në këtë mision.