Aksidenti tragjik në Greqi, kush është 43-vjeçarja shqiptare dhe djali i saj që humbën jetën rrugës për në punë

Detaje të reja janë mësuar në lidhje me aksidentin e rëndë të ndodhur në Greqi, në rrugën nacionale Amfipoli–Drama, pranë zonës së Paleokomit, ku humbi jetën një 43-vjeçareje dhe djalit të saj 21-vjeçar, të dy me origjinë shqiptare.

Sipas mediave greke, në aksident u përfshinë një automjet tip Volksëagen dhe një kamion. Përplasja ballore ishte tepër e fortë, duke bërë që nëna dhe djali, të cilët ndodheshin në automjetin e vogël, të humbnin jetën në vendngjarje si pasojë e plagëve të rënda.

Nga informacionet paraprake rezulton se në timon ishte 21-vjeçari, ndërsa në sediljen e pasagjerit udhëtonte nëna e tij. Të dy kishin dalë herët nga shtëpia për t’u nisur drejt vendit të punës, por udhëtimi përfundoi në mënyrë tragjike.

Hetuesit pritet të analizojnë pamjet e regjistruara nga kamera e kamionit për të përcaktuar dinamikën e saktë të aksidentit dhe rrethanat që çuan në përplasjen fatale.

Sipas dëshmisë së shoferit 56-vjeçar të kamionit, ai po lëvizte normalisht në korsinë e tij kur automjeti që vinte nga drejtimi i kundërt humbi kontrollin dhe hyri në korsinë e tij. Ai ka deklaruar se u përpoq të shmangte përplasjen, por nuk pati mundësi ta evitonte.

Familja e viktimave jetonte prej vitesh në Paleokomi dhe ishte e njohur në komunitetin lokal. Vdekja e nënës dhe djalit ka tronditur të afërmit, miqtë dhe banorët e zonës.

Ndërkohë, drejtuesi i kamionit pësoi lëndime të lehta dhe u transportua në spitalin e Dramës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Autoritetet greke kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e plota të aksidentit.