Revolucioni i Flamingove si “masa e gjithçkaje”

Revolucioni i Flamingove hyri në muajin e tretë. Provokoi reagime të ndryshme, dhe do të vazhdojë të provokojë. Iu bënë të gjitha llojet e interpretimeve, politike, kulturore, gjendjeje shoqërore dhe ekonomike, agjenturore, etj. Shumëkush mes atyre që marrin pjesë në të apo e ndjekin nga distanca pyet: “çfarë po ndodh?”. Dhe, është e vërtetë, çdo ditë e protestës na jep mesazhe të reja (dhe frymëzim, për cilindo e sheh kështu), por edhe pyetje të reja. A po prodhon diçka protesta? A do të arrijë të sjellë ndryshim të realitetit? A do të përmbushen kërkesat e protestës? Si e presin protestuesit përmbushjen e kërkesave, teksa zgjidhjen nuk e propozojnë ta sjellin vetë, por vijojnë t’ua kërkojnë institucioneve? Ka shumë mënyra për t’u përgjigjur.

Sa herë shoqëritë dhe / apo vendet kalojnë kriza të mëdha morale, njeriu si individ dhe si komunitet gjen mënyrën për t’u kthyer tek klasikja: antropocentrizmi. Me apo pa ndërgjegje, përballë tronditjeve që kërcënojnë jetën apo mirëqenien e përgjithshme, instinkti ose arsyeja na drejtojnë kah mbrojtja e jetës dhe ruajtja e moralit njerëzor. Kriteret për këtë moral antropocentrik nuk i vendosin më shifrat e statistikës apo propaganda politike dhe qeveritare, por vetë Njeriu. Protagora, filozofi i shek. V para K., pohon se njeriu është ai që përcakton masën e gjithçkaje, vlerëson dhe u jep të qenë sendeve dhe realiteteve që janë të qenësishme, apo zhvlerëson dhe zhduk nga qenësia ato që s’janë. Pra, njeriu si individ ose si komunitet përcakton se çfarë është e vërtetë dhe çfarë duhet të ekzistojë. Duke hedhur vështrimin tek koha dhe bota qark Protagorës, ngremë pyetjen: me çfarë mjetesh e bën njeriu këtë? Sekush ka mjetet e veta, në përputhje me njohuritë dhe kultivimin e vet. Por askush nuk përjashtohet nga aftësia për të ndjerë, edhe pa qenë në gjendje të artikulohet duke arsyetuar. Kësisoj, në kohërat e krizave, zakonisht të ndikuara pikërisht nga nevoja për të mbrojtur jetën dhe dinjitetin, njerëzit udhëhiqen nga parimi i së mirës dhe të dobishmes. Ky është mjedisi i pohimeve të Protagorës, siç e artikulon poetesha e lashtësisë, Sapfo: “I bukuri do të mbetet gjithmonë i bukur në pamje; / por i miri ka për të qenë gjithashtu i bukur” (Frag. 50). Protagora, siç e propozojmë këtu, nuk synon relativizmin moral, por konsensusin e përgjithshëm civil përballë manipulimit teknokratik.

Ky është sfondi moral i Revolucionit të Flamingove: përkundër politikës dhe institucioneve që merren me lojëra fjalësh, që shtrembërojnë faktet dhe thonë gjysmë të vërteta, që manipulojnë dhe, njëherazi, nuk përmbushin detyrat e tyre, flamingot kërkojnë politikë dhe institucione të moralshme që respektojnë njeriun dhe e trajtojnë atë me dinjitet. Përmes protestave të përnatshme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, por edhe përmes angazhimit në rrjete sociale, kushdo që mbështet protestën artikulon në mënyrën e vet se nuk synon të merret me individët, por me veprat e tyre. Dhe ajo që kërkon protesta është ndryshimi i mënyrës së bërjes së politikës, ndryshimi i funksionimit të institucioneve që nuk veprojnë në përputhje me ligjin dhe të mirën publike.

Protestuesve apo kujtdo që artikulohet publikisht në mbështetje të protestës vazhdimisht u bëhet pyetja: Çfarë arritët apo çfarë do të arrini me këtë, pse nuk organizoheni partiakisht, ose pse nuk e rrëzoni pushtetin me dhunë? Eh, pikërisht këtu qëndron e veçanta e protestës: flamingot nuk janë të partishme dhe nuk synojnë, deri sot që shkruajmë, të bëhen faktor partiak, as të presin koka, metaforikisht apo literalisht. Nuk e dimë çfarë do të ndodhë në të ardhmen, gjithçka është e mundshme. Ama sot është e qartë se flamingot nuk propozojnë vetveten si forcë politike e cila do të zgjidhë problemet që denoncon. Flamingot janë duke shërbyer si pasqyrë për atë klasë politike me ndërgjegje të kalbëzuar dhe arsyetim të nënshtruar ndaj hierarkisë vertikale, kërkojnë që institucionet të përmbushin drejt detyrimet ligjore, dhe të gjithë bashkë të zbatojnë ligjin, duke punuar për të mirën e përbashkët. Për atë të mirë të përbashkët që është e vërtetë dhe reale jo sipas statistikave, retorikës dhe propagandës qeveritare, por për atë që prek drejtpërdrejt mirëqenien dhe dinjitetin e individit. Flamingot janë ftesa për ndërgjegjësim, përgjegjësi dhe moralitet. Kurse qeveria e politikës vijon t’u dredhojë përgjegjësive, ndërgjegjes dhe moralit duke shpikur fjalë e tekste boshe që u bishtnojnë problemeve reale, duke e trajtuar gjithçka me gjuhën e partisë. Sepse, në thelb, politika aktuale në Shqipëri vetëm atë gjuhë njeh: gjuhën e partisë. Mirëpo, ja që ekziston edhe një përmasë tjetër: gjuha e antropocentrizmit. Revolucioni i Flamingove meriton emërtesën e dhënë pikërisht për këtë ripërmasim të emrit “revolucion”: fton për gjykatës ndërgjegjen, jo gijotinën e shek. XVIII. Në epokën e ndërgjegjes sekush duhet ta dijë vendin e vet. E nëse ndonjë deputet a funksionar nuk e di dhe nuk e kupton, atëherë, ka uzurpuar mandatin dhe karrigen, pavarësisht sa e ka listën e votave. Revolucioni i Flamingove përcakton, tashmë, standardin moral.

Shprehur me gjuhën teorike të filozofisë klasike, do të thoshim se flamingot po kërkojnë “oikonomia” (οἰκονομία) në vend të “khrematistikës” (χρηματιστική), siç do thoshte Aristoteli, që shpjeguar shqip do të thotë: administrim të pasurive të përbashkëta në dobi të vendësve, të njerëzve, jo prodhim të ardhurash që promovojnë grykësinë sistemike dhe korrupsionin; flamingot po kërkojnë “eu zen” (εὖ ζῆν) jetë të qetë, jo “pros zen” (πρὸς ζῆν) mbijetesë plot ankth nga e nesërmja e pasigurt; flamingot kërkojnë konceptet e “aidos” (αἰδός) dhe “dike” (δήκη), që do të thotë politikanë dhe funksionarë të cilëve u skuqet fytyra dhe veprojnë me drejtësi dhe / ose që veprimtaria e tyre kufizohet nga drejtësia; flamingot pohojnë se përfaqësuesi i zgjedhur apo funksionari i lartë që vepron me arrogancë, pa turp dhe pa drejtësi është thjesht uzurpues i mandatit apo detyrës; flamingot kërkojnë më pak “idiotes” (ἰδιώτης, dhe, jo, nuk është fjala për të marrët, ndonëse kundër flamingove janë angazhuar shumë të tillë) dhe më shumë zbatim të parimeve të “polis” (πόλης), që do të thotë se pasuria publike nuk mund dhe nuk duhet të shkojë në dobi të krijimit të mirëqenies individuale, por ç’është e përbashkët duhet të shfrytëzohet për gjithë popullatën në mënyrë të drejtë; flamingot kërkojnë “dokimasia” (δοκιμασία) dhe “euthynai” (εὐθύναι), ku çdo zyrtar publik duhet të vërtetojë në mënyrë të argumentuar pasurinë që zotëron përpara marrjes së postit publik e, më tej, pas lënies së postit duhet të jetë po aq transparent për të ardhurat e veprimtarisë private. Këto, në fakt, janë parashikime që i përmbajnë një sërë ligjesh në fuqi, si “Ligji për nëpunësin civil”, “Ligji për konfliktin e interesit”, etj., por a zbatohen me rigorozitetin e duhur për zyrtarët që marrin poste drejtuese si pasojë e angazhimit të tyre politik, apo vetëm për profesionistët e fushës që nuk gëzojnë përkrahje politike para dhe gjatë veprimtarisë së tyre në shërbimin civil? Njoftimet e deritanishme që burojnë nga prokuroritë dhe gjykatat na dëftejnë se burokratët e prodhuar nga partitë e 35 viteve të fundit nuk i kanë shërbyer komunitetit, as kanë përmbushur premtimet, por kanë shpërdoruar dhe kanë shkelur ligjet.

Në thelb, këto kërkojnë flamingot. Dhe, qoftë kjo pjekuri është e kultivuar, e arsyeshme dhe e qëllimshme, qoftë është veprim emotiv nisur prej halleve të përditshme, efekti fundor mbetet i njëjtë: antropocentrizmi. Këtë, siç po duket, e kanë vështirë ta kuptojnë pushtetarët. E kanë vështirë ta kuptojnë shumë politikanë. Ose, me dashje, nuk duan ta çojnë mendjen tek kjo llaj analize, pasi bie ndesh me parimet e politikave apo / dhe të moralit të tyre. Mirëpo, ja që jeta nuk është vetëm arritje, karrierë dhe plëng e pasuri, por dhe dinjitet e moral njerëzor. Në këtë aspekt duket se shqiptarët janë pjekur e rritur me ritëm asimetrik krahasuar me pjesën mbizotëruese të politikanëve dhe qeverisësve të tyre. Kjo pjekuri shfaqet në kohën dhe mënyrën e përshtatshme, pavarësisht numrit të flamingove dhe protestuesve që mblidhen çdo mbrëmje në bulevard, duke zhvlerësuar, të paktën moralisht, statistikat e zgjedhjeve të vitit 2025. Sepse, sikundër arsyeja e dikton dhe praktika e provon, ç’është e moralshme nuk varet nga numri i votuesve, ithtarëve, duartrokitësve dhe përmasa e vetëkënaqjes.

Këto desha t’u them gjithë mbështetësve të protestës, por më shumë cinikëve, kundërshtarëve apo “kritikëve të divanit”. Birn