Shehaj sqaron incidentin në Kuvend: Mora marrëveshjen për ta lexuar, nuk kam shkelur asnjë rregull

Lajmi:

Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar pas incidentit të ndodhur në seancën plenare, ku u pa duke marrë dokumentin e marrëveshjes së huasë prej 302 milionë dollarësh me Shtetet e Bashkuara dhe duke u larguar me të nga salla.

Në një deklaratë për mediat, Shehaj sqaroi se veprimi i tij kishte për qëllim vetëm leximin e dokumentit dhe se gjithçka ishte bërë sipas procedurës së parashikuar nga Kuvendi.

Sipas tij, pasi kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, informoi deputetët se marrëveshja mund të merrej pranë zyrave të Kuvendit, ai shkoi, firmosi dokumentin që parashikon detyrimin për të mos e shpërndarë materialin dhe më pas e mori për ta shqyrtuar.

Shehaj theksoi se askush nuk i kishte ndaluar deputetët ta merrnin dokumentin dhe se nuk ka shkelur asnjë rregull gjatë këtij procesi. Ai shtoi se në Kuvend deputetëve u vendosen shpesh kufizime të ndryshme, duke ironizuar situatën me faktin se, sipas tij, “na kërkojnë edhe të mos jemi në sallë kur është Rama”.

“Në lidhje me lajmet që kanë dalë mbi dokumentin e marrëveshjes, thjesht e keni parë vetë që kryeparlamentari u tha deputetëve që po ankoheshin se mund ta gjenin te zyra këtu afër. Nuk tha që nuk mund ta marrësh. Unë shkova, firmosa dokumentin për mospërndarjen e marrëveshjes dhe u largova. Ne na kërkojnë shumë gjëra në Kuvend, madje na kërkojnë të mos shkojmë kur është Rama”, tha ai.