Flakët po përhapen me shpejtësi në jugperëndim të Francës, ndërsa Bashkimi Evropian ka dërguar avionë dhe helikopterë zjarrfikës për të mbështetur autoritetet franceze.
Franca ka kërkuar ndihmë shtesë emergjente nga Bashkimi Evropian, ndërsa zjarrfikësit vazhdojnë betejën për të vënë nën kontroll disa zjarre të mëdha pyjore që kanë detyruar evakuimin e më shumë se 29 mijë personave dhe po kërcënojnë zona të njohura turistike në bregdetin e Atlantikut.
Presidenti Emmanuel Macron njoftoi se Franca ka aktivizuar Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian për të siguruar mbështetje shtesë ajrore në operacionet e shuarjes së zjarreve.
Në ndihmë të autoriteteve franceze pritet të mbërrijnë dy avionë amfibë Canadair nga Kroacia, dy avionë Air Tractor nga Portugalia, si dhe dy helikopterë të rëndë zjarrfikës nga Republika Çeke dhe Sllovakia. Komisioni Evropian ka njoftuar gjithashtu dislokimin e tre avionëve të tjerë bombardues me ujë dhe dy helikopterëve në kuadër të mekanizmit evropian të emergjencës.
Vatra më e madhe e zjarrit ndodhet në departamentin Gironde, në veri të gjirit të Arcachon. Zjarri, i cili shpërtheu pranë Saumos të mërkurën, kishte djegur rreth 4.800 hektarë deri të premten në mëngjes, kishte shkatërruar disa banesa dhe kishte detyruar evakuimin e afro 20 mijë banorëve.
Rreth 800 zjarrfikës janë angazhuar në operacion, ndërsa flakët kanë arritur edhe pjesën veriore të gadishullit Cap-Ferret, një nga destinacionet më të njohura turistike të Francës, i cili është evakuuar për arsye sigurie.
Autoritetet urdhëruan evakuimin edhe të disa fshatrave në gadishull pasi zjarri kaloi vijën mbrojtëse të ngritur nga zjarrfikësit për të penguar përhapjen e flakëve.
Komandanti i operacioneve të shpëtimit, Marc Vermeulen, e cilësoi situatën si tepër të paparashikueshme, duke paralajmëruar se temperaturat e larta krijojnë erëra të forta që mund ta përshpejtojnë përhapjen e zjarrit në çdo moment.
Një tjetër zjarr i madh pranë Biscarrosse, në departamentin Landes, ka djegur më shumë se 1.000 hektarë dhe ka detyruar evakuimin e rreth 9 mijë personave. Sipas autoriteteve, zjarri dyshohet se u shkaktua nga një automjet dhe u përhap me shpejtësi në pyllin përreth. Në terren janë angazhuar rreth 300 zjarrfikës.
Zëvendësdrejtori i shërbimit lokal të zjarrfikësve, koloneli Romain Moutard, e përshkroi situatën si “apokaliptike” dhe “danteske”, duke thënë se flakët po krijojnë vazhdimisht vatra të reja zjarri. Edhe pas mesnate, sipas tij, situata mbetej shumë e pafavorshme për shkak të ndryshimit të vazhdueshëm të drejtimit të erërave.
Zjarre të tjera vazhdojnë të digjen edhe në jug të Francës, përfshirë departamentin Var, ku janë shkrumbuar rreth 2.700 hektarë. Vatrat e shumta të zjarrit kanë vënë nën presion të madh kapacitetet e shërbimeve franceze të zjarrfikjes në një periudhë me temperatura ekstreme, bimësi të tharë dhe erëra të forta.
Ndihma e re evropiane i shtohet mbështetjes së ofruar më herët këtë muaj. Më 5 korrik, Franca aktivizoi Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së, duke mundësuar dërgimin e katër avionëve zjarrfikës rescEU nga Suedia dhe Qiproja. Plani evropian për sezonin e zjarreve të vitit 2026 parashikon gjithashtu vendosjen paraprake të 777 zjarrfikësve nga 14 vende në zonat me rrezik të lartë.
Sipas ministrit të Brendshëm francez, Laurent Nuñez, që nga fillimi i vitit janë regjistruar mbi 12.500 zjarre, ndërsa më shumë se 44 mijë hektarë tokë janë djegur.
Franca nuk është i vetmi vend i prekur. Spanja po përballet gjithashtu me zjarre të mëdha dhe evakuime masive, ndërsa Italia ka raportuar dhjetëra vatra zjarri dhe vdekjen e një zjarrfikësi në Siçili. Sipas të dhënave të Komisionit Evropian, të cituara nga Le Monde, deri më 23 korrik, zjarret kanë shkrumbuar mbi 254 mijë hektarë në mbarë Evropën.
Autoritetet franceze vijojnë hetimet për të përcaktuar shkakun e zjarrit në Gironde, megjithëse dyshimet paraprake tregojnë se ai mund të ketë qenë aksidental.