Gjykata Administrative rrëzon padinë e Veliajt për prokurorin Ols Dado

Gjykata Administrative ka rrëzuar kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj për çështjen e emërimit të Ols Dados si Prokuror.

Togat e zeza argumentuan se Veliaj ka interes të tërthortë dhe jo të drejtpërdrejtë në çështje, ndërsa vendosën të mos pranojnë Shoqatën “Asociacioni Media për Drejtësi” si palë kryesore në proces.

Gjykata refuzoi gjithashtu edhe kërkesën e pranimit si palë të ish-prokurorit Tom Deda dhe gjithashtu të Asociacionit për Media e Drejtësi.

Në një reagim të shkurtër kryebashkiaku Veliaj është shprehur: “Vendimi dihej, por e mori vesh mileti të vërtetën“.

Edhe avokati i Veliajt, Plarent Ndreca tha se vendimi i Gjykatës Administrative ishte i pritshëm. Sipas tij, edhe në këtë rast sistemi nuk e tregoi aftësinë për t’u vetëkorrigjuar.

“Ishte test për sistemin sesa ka aftësinë për të vetëkorrigjuar problematikat që ka. Dado nuk është emëruar në mënyrë të ligjshme. Ai nuk ka thënë që jam prokuror i emëruar në mënyrë të ligjshme. Sistemi nuk e tregoi aftësinë për t’u vetëkorrigjuar. Nuk ka problem më të rëndë sesa emërimi i një prokurori që ushtron funksionin në mënyrë të paligjshme. Është një e vërtetë që do e ndjekim deri në fund. Kjo lidhet me sistemin e drejtësisë dhe aftësinë e tij që të tregojë vetveten. U tregua korporatizmi gjyqësor”, tha Ndreca për mediat.