Italia po përballet me një valë reagimesh politike dhe protestash pas vdekjes së një 42-vjeçari me origjinë marokene gjatë një ndërhyrjeje policore në qytetin e Bolonjës. Ngjarja ka ndezur debat të fortë në vend, ndërsa opozita e ka krahasuar atë me rastin e George Floyd në Shtetet e Bashkuara, që shkaktoi protesta masive në vitin 2020.
Viktima, Abderrahim Fakir, kishte jetuar në Itali që prej moshës shtatëvjeçare dhe ishte banor i zonës së Bolonjës. Ai humbi jetën më 19 korrik në lagjen Pilastro, pasi u neutralizua nga policia gjatë një operacioni për arrestimin e tij.
Sipas autoriteteve, efektivët ndërhynë pas raportimeve se Fakir po shfaqte sjellje agresive, po dëmtonte prona dhe po shqetësonte banorët. Gjatë përpjekjes për ta prangosur, ai dyshohet se kundërshtoi policinë. Fillimisht u përdor sprej djegës, ndërsa më pas ai u mbajt i shtrirë me fytyrë përtokë dhe iu lidhën duart e këmbët.
Pamjet e filmuara nga qytetarët, të cilat janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, e tregojnë Fakirin duke bërtitur se nuk mund të merrte frymë, ndërsa mbahej i immobilizuar nga policia. Këto video kanë ngritur dyshime mbi përdorimin e forcës dhe kanë shtuar presionin për një hetim të plotë.
Prokuroria e Bolonjës ka nisur procedim për vrasje nga pakujdesia dhe po heton veprimet e dy efektivëve të policisë, si edhe të katër punonjësve të ambulancës që ndodheshin në vendngjarje. Ndërkohë është urdhëruar kryerja e autopsisë nga një grup ekspertësh, ku përfshihen një mjek ligjor, një toksikolog dhe një kardiolog. Deri tani, shkaku zyrtar i vdekjes nuk është bërë publik.
Ngjarja ka shkaktuar protesta të mëdha në Bolonjë. Mijëra qytetarë u mblodhën në sheshin “Piazza Nettuno”, në një manifestim të thirrur nga kryebashkiaku Matteo Lepore, duke kërkuar “të vërtetën dhe drejtësi” për Fakirin. Demonstrata më pas u përshkallëzua në përplasje me policinë pranë prefekturës, ku u hodhën sende të forta, u dëmtuan prona dhe forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë turmën.
Sipas policisë, 64 efektivë mbetën të plagosur gjatë incidenteve, ndërsa shërbimet e emergjencës u dhanë ndihmë mjekësore 11 personave. Dy automjete të bashkisë u dogjën gjatë trazirave.
Rasti ka marrë tashmë përmasa kombëtare. Organizatat për të drejtat e emigrantëve dhe grupet antiraciste kanë paralajmëruar protesta edhe në qytete të tjera, duke e kthyer ngjarjen në një debat të gjerë mbi kompetencat e policisë, trajtimin e emigrantëve dhe politikat e sigurisë në Itali.
Përfaqësues të opozitës kanë akuzuar qeverinë e kryeministres Giorgia Meloni për ashpërsimin e qasjes ndaj emigrantëve. Kreu i grupit të Partisë Demokratike në Senat, Francesco Boccia, deklaroi se Italia nuk duhet të ndjekë modele të ngjashme me ato amerikane të zbatimit të ligjit, ndërsa senatorja Ilaria Cucchi e krahasoi rastin me vdekjen e vëllait të saj, Stefano Cucchi, i cili humbi jetën në vitin 2009 pas ndalimit nga policia.
Teksa hetimet vazhdojnë, vdekja e Abderrahim Fakir është shndërruar në një nga çështjet më të debatueshme në Itali, duke nxitur diskutime të forta mbi përdorimin e forcës nga policia, të drejtat e emigrantëve dhe garantimin e shtetit ligjor.