Atentati në Elbasan, dyshohet se objektivi ishte nipi i “Ot Kilës”

Detaje të reja janë mësuar në lidhje me ngjarjen e ndodhur dje në Elbasan ku mbetën të plagosur tre të rinjtë, Armando Tomorrica, Renaldo Mance dhe Biorgi Hoxha.

Burime për mediat bëjnë me dije se ka dyshime se objektiv i atentatit të ketë qenë nipi i Kastriot Kilës, i njohur si “Ot Kila”, një personazh i njohur në botën e krimit. Ai ka qenë i ulur në lokalin ku ndodhi atentati.

Sa i takon autorit, ai ka vepruar i maskuar, duke përdorur maskë silikoni dhe paruke me flokë të gjatë, me qëllim fshehjen e identitetit të tij. Pas ngjarjes, ai ka arritur të largohet përmes disa rrugicave të lagjes “Vullnetari” duke përfituar nga errësira.

Ndërkohë tre të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën dhe kanë deklaruar se nuk e njohin autorin dhe nuk janë të përfshirë në asnjë konflikt.

Policia dhe grupi hetimor po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë dhe provat e mbledhura në vendngjarje për të identifikuar autorin dhe zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes.