Shqiptarët dyshohen se po drejtojnë aktivitetet e tyre kriminale nga burgu, pasi shifrat zyrtare tregojnë se ata kanë kryer më shumë se dyfishin e telefonatave nga burgjet krahasuar me çdo kombësi tjetër.
Të dhënat e Ministrisë së Drejtësisë, publikuar nga The Telegraph kanë zbuluar se të burgosurit shqiptarë kanë kryer 157,962 telefonata nga burgu gjatë gjashtë muajve të fundit, që përkthehet në rreth 900 telefonata në ditë.
Shqiptarët përbëjnë kombësinë më të madhe të huaj në burgjet e Anglisë dhe Uellsit, me mbi 1,200 të burgosur, të ndjekur nga polakët dhe rumunët.
Shqiptarët, polakët dhe rumunët janë tre kombësitë më të mëdha të të burgosurve të huaj në burgjet e Anglisë dhe Uellsit, duke përfaqësuar një të katërtën e të gjithë shtetasve të huaj të dënuar në burgje.
Sipas të dhënave të Shërbimit të Burgjeve, numri i telefonatave të kryera nga të burgosurit shqiptarë ishte katër herë më i lartë se ai i polakëve dhe rumunëve, të cilët renditen respektivisht në vendin e dytë dhe të tretë. Polakët, që përbëjnë 740 të burgosur, kryen 37,691 telefonata (209 në ditë), ndërsa rumunët, me 708 të burgosur, kryen 37,307 telefonata (207 në ditë).
Numrin e dytë më të lartë të telefonatave e regjistruan 678 të burgosur nga Irlanda me 73,541 telefonata, të ndjekur nga 68 të burgosur amerikanë me 57,867 telefonata.
“Jashtëzakonisht joproporcionale”
Profesori Ian Acheson, ish-drejtor burgu dhe ish-këshilltar i qeverisë britanike për ekstremizmin në burgje, tha se numri i telefonatave të kryera nga të burgosurit shqiptarë dukej “jashtëzakonisht joproporcional”.
“Ajo që dimë është se krimi i organizuar shqiptar dominon shpërndarjen e drogës brenda burgjeve. Sa ndikim kanë ata jashtë burgut është më pak e qartë, por nuk do të ishte befasuese nëse ata përdornin vazhdimisht telefonat për të organizuar marrëveshje. Nuk është e paarsyeshme të sugjerohet se ekziston një lidhje mes këtyre fakteve”, tha ai.
Kjo vjen pasi David Lammy, sekretari i Drejtësisë në atë kohë, paralajmëroi se bosët e grupeve kriminale po drejtojnë gjithnjë e më shumë perandoritë e tyre kriminale nga burgu.
Ai shtoi se krimi i organizuar po “koordinohej gjithnjë e më shumë” nga drejtuesit e bandave brenda burgjeve, të cilat shpesh përballen me dhunë, drogë dhe çrregullime.
Lammy tha gjithashtu se kriminelët po përdornin “dronë gjithnjë e më të sofistikuar” për të futur drogë dhe armë drejtpërdrejt në burgje, duke shmangur masat tradicionale të sigurisë.
Kriminelët shqiptarë dënohen kryesisht për vepra penale që lidhen me drogën ose vjedhjen. Sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA), ata janë specializuar në kultivimin e kanabisit, duke zëvendësuar vietnamezët si furnizuesit kryesorë të kësaj droge në Britani.
Bandat shqiptare, të cilat më parë ishin të përqendruara te kokaina, u orientuan drejt kanabisit pasi ai konsiderohej një aktivitet me “rrezik shumë, shumë të ulët”.
Kanabisi gjeneron fitime të konsiderueshme për shkak të kërkesës së lartë – britanikët konsumojnë rreth 240 tonë kanabis në vit, me një vlerë prej 2.4 miliardë paundësh – dhe nuk kërkon transport të rrezikshëm ndërkufitar, pasi kultivohet brenda vendit, sipas NCA-së.
Telefonatat nga burgjet britanike lejohen vetëm drejt numrave të miratuar paraprakisht. Ato mund të monitorohen në rastet kur autoritetet dyshojnë për rrezik të lidhur me veprimtari kriminale.
Një zëdhënës i shërbimit të burgjeve britanike theksoi se nga këto të dhëna nuk mund të nxirren përfundime të drejtpërdrejta, pasi ato nuk tregojnë kombësinë e personave që kryejnë telefonatat dalëse.
Sipas tij, të gjitha telefonatat e të burgosurve regjistrohen dhe monitorohen në përputhje me rregullat, ndërsa pagesa e tyre kryhet nga vetë të burgosurit.