PD bllokon foltoren, nuk lejon Endri Shabanin të raportojë! Ndërpritet për herë të dytë seanca

Seanca plenare në Kuvend është shoqëruar me tensione, pasi opozita ka bllokuar foltoren gjatë momentit kur ishte parashikuar raportimi i Avokatit të Popullit, Endri Shabani.

Kreu i grupit parlamentar të PD e quajti këtë një provokim nga duke shtuar se ai është zgjedhur në flagrancë me Kushtetuten.

Sipas Gazment Bardhit, Shabani është ushtar i PS dhe Gjykata Kushtetuese ende nuk ka marrë vendim për çështjen.

“S’mund ta provokoni opozitën duke sjellë për të raportuar në këtë seancë një njeri që është zgjedhur në flagrancë me Kushtetutën. Një njeri që ka keqpëdorur vullnetin e deputetëve të opozitës për të uzurpuar një pozicion kushtetues. Nuk kemi nevojë të dëgjojmë një njeri që s’ka ngritur kurrë zërin gjithë këto muaj, është sjellë si ushtar partie dhe jo si Avokat i Popullit. Largojeni nga salla e parlamentit! Keni shkelur Kushtetutën, grupi ynë i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Sa kohë nuk ka vendim, respektoni këtë sensibilitet të opozitës”, tha Bardhi.

Pas tensioneve, kreu i Kuvendit Niko Peleshi ndërpreu seancën për 5 minuta. Por edhe pas rinisjes, Foltorja vazhdoi e bllokuar ndërsa seanca u ndërpre sërish.