Ishulli i parë artificial në Detin e Veriut 

Një ishull artificial në mes të Detit të Veriut pritet të ndryshojë mënyrën se si Europa prodhon dhe shpërndan energjinë e pastër.

Me një investim rreth 30 miliardë euro, ishulli do të jetë funksional brenda vitit 2036 dhe deri në vitin 2040 pritet të arrijë kapacitetin prodhues prej 10 gigavatësh (GW), i mjaftueshëm për të furnizuar me energji elektrike mbi 10 milionë familje europiane.

Një qendër energjetike” në mes të detit

Projekti parashikon ndërtimin e një ishulli artificial me sipërfaqe minimale prej 120 mijë metra katrorë, afërsisht sa 18 fusha futbolli, i cili do të rrethohet nga qindra turbina me erë të vendosura në det të hapur dhe do të shërbejë për mbledhjen, përpunimin dhe shpërndarjen e energjisë së prodhuar.

Energjia do të transmetohet përmes kabllove nënujore të tensionit të lartë drejt konsumatorëve në Danimarkë, Gjermani, Holandë, Norvegji, Belgjikë dhe Mbretërinë e Bashkuar, duke forcuar ndërlidhjen energjetike mes vendeve europiane.

Faza e parë e projektit synonte përfundimin në vitin 2033 me kapacitet prej 3 GW, por afatet janë shtyrë të paktën deri në vitin 2036 për shkak të sfidave teknike dhe rritjes së kostove.

Përveç prodhimit të energjisë elektrike, ishulli do të shërbejë edhe për prodhimin e hidrogjenit të gjelbër përmes “Power-to-X”, një teknologji komplekse që transformon energjinë elektrike nga burime të rinovueshme si era dhe dielli, në forma të tjera energjie ose produkte kimike.

Hapi bazë është përdorimi i energjisë elektrike për të kryer elektrolizën e ujit, duke prodhuar oksigjen dhe hidrogjen, i cili mund të përdoret drejtpërdrejt si karburant për transportin detar dhe sektorin e aviacionit ose të kombinohet me dioksid karboni ose azot për të krijuar produkte të tjera.

Investimi më i madh në historinë e Danimarkës

Kostoja totale e projektit vlerësohet në mbi 210 miliardë korona daneze, ose rreth 28–30 miliardë euro, duke e bërë atë investimin më të madh ndërtimor në historinë e Danimarkës.

Rreth 10 miliardë euro do të shpenzohen vetëm për ndërtimin e ishullit dhe infrastrukturës së tij portuale, ndërsa pjesa tjetër do të mbulojë ndërtimin e parqeve me erë dhe rrjetit të interkoneksioneve energjetike.

Megjithatë, projekti është përballur me pengesa të shumta, kostot janë rritur me rreth 50 miliardë korona daneze, ndërsa bashkëpunimi me Belgjikën duket se është pezulluar për shkak të vonesave dhe ndryshimeve në planifikim.

Mijëra vende pune dhe më shumë pavarësi energjetike

Ndërtimi i ishullit pritet të krijojë mijëra vende pune gjatë fazës së realizimit dhe qindra vende pune të specializuara për mirëmbajtjen dhe funksionimin afatgjatë të infrastrukturës.

Ekspertët e konsiderojnë projektin një shtyllë të rëndësishme të strategjisë së Europës për pavarësi energjetike, pasi ai do të ndihmojë në uljen e varësisë nga importet e karburanteve fosile dhe në rritjen e prodhimit të energjisë së rinovueshme.

20 milionë tonë CO₂ më pak në atmosferë

Objektivi kryesor i projektit është reduktimi i emetimeve të gazeve serrë. Sipas vlerësimeve, çdo 1 GW energji eolike mund të shmangë emetimin e rreth 1,9 milionë tonëve dioksid karboni në vit.

Nëse ishulli arrin kapacitetin e planifikuar prej 10 GW, ai mund të reduktojë emetimet me afro 20 milionë tonë CO₂ çdo vit, duke kontribuar ndjeshëm në objektivin e Bashkimit Europian për arritjen e neutralitetit klimatik deri në vitin 2050.

Megjithatë duhet kuptuar se ndërtimi i një infrastrukture kaq të madhe nuk është pa pasoja mjedisore, punimet dhe vendosja e kabllove nënujore do të ndikojnë në shtratin e detit dhe ekosistemet detare.

Për të kufizuar këto efekte, projekti parashikon monitorim të vazhdueshëm mjedisor nënujor dhe studime për shndërrimin e barrierave mbrojtëse të ishullit në struktura që mund të funksionojnë si shkëmbinj koralorë artificialë, duke nxitur biodiversitetin lokal.

Gjithashtu, prodhimi i hidrogjenit të gjelbër direkt në det pritet të reduktojë nevojën për infrastruktura komplekse në tokë, duke mbrojtur më tej zonat bregdetare dhe habitatet natyrore.

Përfundime

  • North Sea Energy Islandmbetet një nga projektet më ambicioze të tranzicionit energjetik në Europë, pavarësisht se ai përballet me sfida të mëdha teknike, financiare dhe mjedisore.
  • Ishulli, nëse realizohet sipas planit, do të rrisë ndjeshëm jo vetëm prodhimin e energjisë së rinovueshme por do të forcojë edhe sigurinë energjetike të kontinentit, duke ulur varësinë nga lëndët djegëse fosile.
  • Suksesi i këtij projekti mund të shërbejë si model për investime të ngjashme në të ardhmen, duke dëshmuar se infrastruktura inovative mund të luajë rol kyç në përballimin e sfidave të ndryshimeve klimatike dhe në ndërtimin e një sistemi energjetik më të qëndrueshëm.